Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën dhe rritjes së presionit ndaj Rusisë, të cilën e cilësoi si “agresoren kryesore” në konflikt.
“Është thelbësore që ne të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe të rrisim presionin ndaj Rusisë,” tha ajo, duke shtuar se mënyra se si përfundon lufta është po aq e rëndësishme sa përfundimi i saj.
Në një videokonferencë me ministrat e jashtëm të BE-së, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm ukrainas, u riafirmuan parimet e përbashkëta të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së theksoi nevojën për një “armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte”, por paralajmëroi se nuk ka indikacione që Rusia është e gatshme të ndalë operacionet ushtarake.
Kalas komentoi raportet se pala ruse ka pasur përfshirje të lartë në hartimin e planit të paqes të propozuar nga SHBA, duke thënë se “pikat e planit favorizojnë Rusinë” dhe se nuk parashikojnë asnjë detyrim nga ana e saj. Ajo theksoi se për një paqe të qëndrueshme, Rusia duhet të respektojë detyrimet ndërkombëtare që ka nënshkruar, duke përmendur mbi 20 marrëveshje ku Moska është zotuar të mos sulmojë askënd, transmeton RTSH.
Kalas u shpreh se fokusi duhet të jetë tek kufizimet që Rusia duhet të pranojë, jo tek Ukraina. “Nëse Rusia shpenzon afër 40% të buxhetit të saj për ushtri, ajo do të kërkojë ta përdorë përsëri. Prandaj, ushtria dhe buxheti ushtarak rus duhet të kufizohen,” tha ajo, duke kundërshtuar idenë e reduktimit të forcave ukrainase të përfshira në draftin amerikan.
Ajo pranoi ndikimin e madh të sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së në ekonominë ruse, duke theksuar se “pikëpamja se Ukraina po humbet është plotësisht e gabuar”.
Sipas saj, Rusia nuk ka arritur të pushtojë Ukrainën ushtarakisht dhe nuk po shënon fitoret që pretendon. “Ekonomia e tyre është në gjendje shumë të keqe dhe ushtria nuk po ecën aq mirë sa duan të na besojnë,” shtoi ajo.
Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake dhe ekonomike përmes “Aleancës së të Gatshmëve”, duke kontribuar në garancitë e sigurisë me financim, trajnim dhe mbështetje për industrinë e mbrojtjes. Kalas përsëriti se “kredia për kompensim është opsioni më i mirë” për financimin e Ukrainës, duke iu referuar edhe fjalimit të Presidentes së Komisionit Evropian se propozimet konkrete për këtë kredi do të prezantohen së shpejti.