Kategoria e Parë rikthehet ditën e premte për të luajtur ndeshjet e javës së 13-të, e cila pritet të dhurojë përballje të forta dhe rezultate që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zonën e kreut dhe atë të mbijetesës.
Java nis të premten me dy sfida interesante, ndërsa pjesa tjetër e ndeshjeve do të luhet të shtunën.
Të premten në orën 13:30, Besa pret Korabin në stadiumin “Luz i vogël”, takim që do të keni mundësi ta ndiqni në RTSH Sport, një duel mes dy skuadrave që janë në kërkim të vazhdimësisë dhe pikëve të rëndësishme për pjesën e sipërme të klasifikimit.
Në të njëjtën ditë, por në orën 15:30, Skënderbeu do të përballet me Lushnjën në Korçë.
Vendasit synojnë të mbajnë kreun, ndërsa miqtë duan të bëjnë kthesën për të larguar presionin e rezultateve.
Të shtunën, në orën 13:30, do të zhvillohen katër takimet e tjera. Pogradeci- Iliria, Luftëtari -Apolonia, Kukësi-Burreli dhe Kastrioti-Laçi.