Anulon fluturimin drejt Stambollit, Kombëtarja shqiptare e vajzave rrezikon miqësoret me Turqinë

- Bota Sot

Anulon fluturimin drejt Stambollit, Kombëtarja shqiptare e vajzave rrezikon miqësoret me Turqinë

Fluturimi i linjës “Air Albania” nga Tirana drejt Stambollit, i parashikuar të nisej sot në orën 18:20, është anuluar në mënyrë të papritur dhe pa asnjë arsye zyrtare, duke shkaktuar kaos dhe pakënaqësi të madhe te të gjithë pasagjerët.

Ndër udhëtarët që kishin prerë bileta ishte edhe Kombëtarja shqiptare e futbollit për vajza, e cila ishte nisur drejt Turqisë për të zhvilluar dy ndeshje miqësore të planifikuara prej kohësh, në datat 28 nëntor dhe 1 dhjetor.

Ky anulim i pashpjeguar ka prishur tërësisht programin e ekipit përfaqësues, teksa futbollistet dhe stafi teknik u detyruan të kthehen mbrapsht, pasi u lanë në pritje pa asnjë njoftim dhe pa asnjë zgjidhje alternative nga kompania ajrore.

Sakaq, zyra e “Air Albania”-s në aeroport ishte e mbyllur dhe numrat e telefonit të kompanisë ishin të fikur, me qytetarët që nuk kishin asnjë mundësi ku të kërkonin ndihmë apo asistencë.

Me miqësoret e programuara prej muajsh, situata e krijuar rrezikon seriozisht zhvillimin e këtyre ndeshjeve, duke vendosur në pozitë të vështirë jo vetëm Kombëtaren, por edhe Federatën Turke të Futbollit, e cila ka pritur ekipin shqiptar sipas planit.

Mbi të gjitha, ky rast përbën një situatë tejet të pakëndshme dhe të papranueshme, duke cenuar profesionalizmin dhe imazhin e një ekipi kombëtar që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Përveç futbollisteve të Kombëtares shqiptare, dhjetëra pasagjerë të tjerë që kishin rezervuar bileta për të udhëtuar drejt Stambollit mbetën të bllokuar në aeroport, pa marrë qartësi dhe pa një zgjidhje të menjëhershme.

Anulimi i fluturimit, pa shpjegim dhe pa ofrim alternativash të menaxhuara siç kërkojnë standardet ndërkombëtare të transportit ajror, ngre shqetësime serioze mbi funksionimin dhe përgjegjësinë e kompanisë “Air Albania” ndaj pasagjerëve të saj. Rasti i sotëm tregon se mungesa e komunikimit dhe improvizimi në situata të tilla dëmtojnë drejtpërdrejt sportin, institucionet dhe qytetarët që mbështeten te udhëtimet ajrore për detyrime zyrtare ose personale.



Lexoni të gjitha në Bota Sot