Goditi mbi 100 persona gjatë festës së titullit në Liverpool, pranon fajin, dënimi jepet më 15 dhjetor

- Bota Sot

Goditi mbi 100 persona gjatë festës së titullit në Liverpool, pranon fajin, dënimi jepet më 15 dhjetor

Drejtuesi i makinës që kishte përplasur me qëllim turmën gjatë festimeve të titullit të Liverpool-it në maj, u deklarua fajtor në seancën gjyqësore të sotme.

Bëhet fjalë për Paul Doyle, 54 vjeç, i cili pranoi fajësinë për secilën prej 31 akuzave të ngritura kundër tij. Ai pritet të paraqitet sërish në gjykatë më 15 dhjetor për të marrë dënimin.

Paul Doyle është gjykuar për shkaktim të qëllimshëm të lëndimeve ndaj 12 personave dhe tentativë për t’i shkaktuar ato ndaj 17 të tjerëve, si dhe për dhunë dhe drejtim të rrezikshëm të automjetit. Në total, 134 persona mbetën të plagosur.

Tetë prej viktimave ishin të mitur në atë kohë dhe një prej tyre ishte vetëm gjashtë muajshe, sipas prokurorisë.

Sipas deklarimeve të prokurores Sarah Hammond, Doyle u shfaq në video “gjithnjë e më i irrituar nga turma” që po festonte triumfin e klubit.

“Në vend që të priste që ajo të kalonte, ai e goditi me makinë qëllimisht, duke hapur rrugë me forcë”, shtoi ajo. “Ky sulm nuk shkaktoi vetëm viktima mes njerëzve të pranishëm, por goditi vetë zemrën e një qyteti të bashkuar në gëzim, duke mbjellë frikë pas vetes”.

Procesi gjyqësor pritej të zgjaste tri deri në katër javë, ndërsa diskutimet duhej të nisnin të mërkurën.

Sipas medieve britanike, Paul Doyle është ish-ushtar i Marinës Mbretërore. Para arrestimit, ai punonte në fushën e sigurisë kibernetike.



Lexoni të gjitha në Bota Sot