Ulja e dënimit të Cristiano Ronaldos mund të nxisë rivalët e Portugalisë të apelojnë vendimin

- Bota Sot

Ulja e dënimit të Cristiano Ronaldos mund të nxisë rivalët e Portugalisë të apelojnë vendimin

Vendimi i FIFA-s për të reduktuar dënimin e Cristiano Ronaldos vazhdon të shkaktojë diskutime dhe mund të sjellë reagime zyrtare nga kundërshtarët e Portugalisë në Kupën e Botës 2026.

Kapiteni portugez u përjashtua në ndeshjen kundër Irlandës, pasi goditi me bërryl qendërmbrojtësin Dara O’Shea, duke marrë fillimisht një pezullim prej tri ndeshjesh.

Megjithatë, dy nga këto ndeshje u lanë me kusht për një periudhë njëvjeçare, gjë që i lejon Ronaldos të jetë i disponueshëm për ndeshjen hapëse të Portugalisë në Botërorin 2026. Ai ka shlyer tashmë një ndeshje pezullim në sfidën ndaj Armenisë, me të cilën Portugalia mbylli kualifikimet.

Sipas ‘Daily Mail’, ekipet që do të shortohen në grup me Portugalinë më 5 dhjetor po shqyrtojnë mundësinë e apelimit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (TAS), me synimin që dënimi i Ronaldos të zbatohet plotësisht. Argumenti kryesor është se pezullimi i pjesshëm mund të krijojë një trajtim të ndryshëm nga raste të ngjashme.

Përveç kësaj, edhe kombëtare të tjera me lojtarë të pezulluar po monitorojnë situatën, duke menduar të përdorin rastin e Ronaldos si precedent për të ndihmuar futbollistët e tyre.

Një prej këtyre rasteve është ai i Nicolás Otamendi-t, kapiten i Benfica-s, i cili u përjashtua në ndeshjen e fundit të kualifikimeve të Argjentinës. Federata argjentinase është aktualisht në bisedime me FIFA-n për të tentuar heqjen e dënimit.

Po ashtu, po përmendet edhe rasti i kapitenit armen, Tigran Barseghyan, i cili u përjashtua kundër Irlandës në ndeshjen parafundit të kualifikimeve, për sjellje të papërshtatshme, një situatë e ngjashme me atë të Cristiano Ronaldos.

Debati pritet të vazhdojë, ndërsa federatat rivale vlerësojnë nëse do të ndërmarrin hapa ligjorë përpara se të nisë Botërori 2026.



Lexoni të gjitha në Bota Sot