Liverpool nuk sheh dritë në fund të tunelit

- Bota Sot

Liverpool nuk sheh dritë në fund të tunelit

Makthi vazhdon, nata është gjithnjë e më e errët për Liverpool, që po përshkon një tunel të gjatë dhe nuk po mund të shohë dritë në fund të të cilit.

Pas humbjes me PSV Eindhoven është krijuar një situatë që sipas medias britanike rrit mundësitë e shkarkimit të trajnerit Arne Slot.

Një ditë pas kësaj disfate në Anfield dhe fërshëllimave të tifozëve, The Times publikon një artikull  që duket si një vendim dënimi për trajnerin holandez: ‘Rënia e Liverpool nuk ka ndërmend të ndalet dhe Slot nuk ka përgjigje’.

Ajo e pësuar ndaj PSV Eindhoven është humja e 9 në 12 ndeshjet e fundit të Liverpoolit që ka regjistruar ecurinë më negative që nga 1954. Edhe ‘The Guardian’ i përqendron kritikat te Slot duke folur për një ‘Liverpool katastrofik që u shkatërrua nga PSV’.

Ndërsa për ‘Daily Telegraph’ disfata e radhës është e destinuar të sjellë pasoja në drejtimin teknik te The Reds: ‘Pas serisë më negative në 72 vitet e fundit, Liverpool përballet me të pamendueshmen’.

E pamendueshmja është shkarkimi i një trajneri që vetëm 5 muaj më parë u shpall kampion i Anglisë në sezonin e tij të parë në Premier League. ‘I destinuar për të paguar për rrethin vicioz ku ka përfunduar’ shkruan ‘Daily Mail’ në artikullin me titull: ‘Liverpool është një katastrofë, një katastrofë e vërtetë’ duke komentuar se Mohamed Salah me shokë janë bërë barcaleta e Evropës dhe se ka ardhur momenti për të shkarkuar Slot’. ‘Kod i kuq’ ishte titulli i The Sun që sjell edhe notat e legjendës së The Reds, Steven Gerrard që e ngeli në klasë ish skuadrën e tij.



Lexoni të gjitha në Bota Sot