Endrick ka vendosur të kërkojë më shumë minuta loje jashtë Real Madridit gjatë afatit kalimtar së dimrit, por huazimi i mundshëm te Olympique Lyon duket se është pezulluar në orët e fundit, duke rritur pasigurinë mbi të ardhmen e tij.
Ekipi i Real Madridit po kalon një periudhë dyshimesh nën drejtimin e Xabi Alonso.
Pas një nisjeje premtuese me fitore radhazi, performanca ka rënë dukshëm, veçanërisht pas humbjes në derbi kundër Atletico Madrid.
Edhe në javën e pestë të Ligës së Kampionëve, Real Madridi tregoi mungesë konsistence ndaj Olympiakos, duke pësuar një gol të hershëm, duke rimarrë më pas avantazhin, dhe duke e komplikuar sërish ndeshjen në minutat e fundit.
Në sulm, megjithatë, Kylian Mbappe dhe Vinicius Jr vazhdojnë të spikasin.
Në të njëjtën ndeshje kundër grekëve, Mbappe shënoi katër gola dhe Vinicius pati një paraqitje të shkëlqyer, duke lënë pak hapësirë për të rinj si Endrick.
Sulmuesi brazilian, 19 vjeç, kishte vendosur të kërkonte minuta loje përmes një huazimi dimëror për të rritur shanset e tij për t’u grumbulluar nga Ancelotti për Kampionatin Botëror në SHBA.
Sezonin e kaluar, Endrick luajti 37 ndeshje me Real Madridin, duke grumbulluar mbi 800 minuta dhe shtatë gola në të gjitha kompeticionet.
Sipas gazetarit Marcos Benito në ‘El Chiringuito’, operacioni me Lyon ende nuk është finalizuar, dhe drejtuesit e klubit preferojnë të presin deri në minutën e fundit të afatit kalimtar, duke konsideruar mundësinë e një ndryshimi trajneri që mund t’i ofronte më shumë hapësirë sulmuesit të ri.