Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave udhëton sot drejt Stambollit, ku do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Turqisë.
Vajzat kuqezi në fakt duhej të udhëtonin që dje për në Turqi, por fluturimi u anulua dhe u shty për një ditë.
Në këtë mënyrë, skuadra shqiptare nuk do të ketë mundësinë të zhvillojë një seancë stërvitore në Turqi para ndeshjes së parë, që luhet të premten, në orën 13:00.
Trajneri Armir Grima ka thënë pak ditë më parë se dy miqësoret me Turqinë do ta ndihmojnë Kombëtaren për të forcuar grupin para kualifikueseve të Botërorit “Brazil 2027”.
Këtë herë skuadrës i janë bashkuar 6 vajza të reja, të cilat do të kenë mundësinë të tregojnë nivelin e tyre në testet me Turqinë, duke synuar të bindin trajnerin Grima.