Ish-ministri saudit: Vetëm Cristiano Ronaldo e meriton pagën e tij

- Bota Sot

Ish-ministri saudit: Vetëm Cristiano Ronaldo e meriton pagën e tij

Ish-ministri i Sportit në Arabinë Saudite, Princi Abdullah bin Mosaad, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me shpenzimet marramendëse të Saudi Pro League, duke theksuar se vetëm Cristiano Ronaldo e justifikon pagën e tij astronomike.

Duke folur në programin “Fi Al-Marama” të Al-Arabiya-s, princi, i cili mbajti detyrën nga viti 2014 deri në 2017, përpara revolucionit financiar të kampionatit, u shpreh se kontrata prej rreth 211 milionë dollarësh në vit që CR7 merr te Al Nassr është krejtësisht e arsyeshme falë ndikimit global dhe vëmendjes mediatike që ai sjell.

“Ronaldo është i vetmi lojtar i huaj që vlen aq sa paguhet, për shkak të ekspozimit ndërkombëtar që i jep ligës dhe vendit,” deklaroi ai, duke shtuar se pjesa dërrmuese e ‘yjeve’ të tjerë të ardhur nga Europa “pagueshin shumë më tepër nga ç’meritojnë.”

Princi Abdullah paralajmëroi se rritja masive e futbollistëve të huaj, tashmë deri në tetë të lejuar në listën e ndeshjes, ka bërë që lojtarët vendas të shndërrohen në “figurantë”, gjë që po dëmton seriozisht të ardhmen e përfaqësueses saudite, sidomos në prag të Botërorit 2034 që Arabia Saudite do të presë.

Ai kërkoi reforma urgjente, duke propozuar uljen e numrit të të huajve në shtatë, rritjen e madhe të investimeve në akademitë e të rinjve dhe angazhimin e trajnerëve të klasit botëror për skuadrat zhvillimore.

“Aktualisht, ndërtimi i një lige të fortë po bëhet në kurriz të kombëtares,” theksoi ai, duke kërkuar një strategji të qartë afatgjatë që talentet vendase të mos mbeten jashtë skenës përgjithmonë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot