Dani Alves po jeton një kapitull të ri dhe krejtësisht të ndryshëm nga ai që bota sportive ka njohur dikur.
Pas shpalljes si i pafajshëm nga Gjykata e Lartë e Spanjës më 28 mars 2025, ç’ka i dha fund dënimit të mëparshëm prej katër vitesh e gjysmë burg, ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe Sevillas i është dorëzuar plotësisht besimit fetar, duke u shfaqur tashmë si predikues ungjillor në një kishë në Girona.
Pamjet e qarkulluara së fundmi në rrjetet sociale e tregojnë Dani Alves-in me mikrofon në dorë, energjik dhe i përkushtuar, teksa u flet besimtarëve me një ton të mbushur me emocion dhe bindje:
Alves, i cili në profilin e tij në Instagram e përshkruan veten si “nxënës i Krishtit Jezus”, e thekson vazhdimisht se ka bërë një pakt shpirtëror:
“Atë që Zoti premton, Zoti e përmbush. I thashë: Zot, unë bëj një marrëveshje me ty. Unë do të të shërbej, por ti kujdesu për shtëpinë time. Ti prek zemrat”, shton ai.
Në një tjetër video që është bërë virale, ai drejtohet veçanërisht të rinjve, duke i nxitur të ëndërrojnë dhe të synojnë lart, por pa u larguar nga besimi:
“Ju mund të jeni të famshëm, mund të jeni të pasur… Mund të bëheni çfarë të doni në jetë, jeni të rinj dhe aspironi gjëra të mëdha. Por mos e largoni Jezusin nga rruga juaj. Sepse nëse e largoni, do të hyni në errësirë, ashtu siç hyra unë.”
Në një moment tjetër të filmuar, Dani Alves ecën përgjatë korridorit qendror të kishës, duke theksuar se Zoti është i afërt me të gjithë:
“Mos mendoni se Zoti, që është atje lart, është larg jush që jeni këtu”, thotë ai me zë të lartë, duke përcjellë mesazhin e tij të besimit dhe rigjetjes shpirtërore.
Kështu, futbollisti dikur i njohur për tituj, asistime dhe spektakël në fushë, e ka kthyer tashmë jetën drejt predikimit dhe përhapjes së mesazheve fetare, një transformim i cili ka habitur shumë, por që Alves e përjeton me bindjen se ka gjetur destinacionin e tij të ri.