Vit kalendarik për t’u harruar për zikaltrit.
Mes fundit të sezonit të kaluar dhe fillimit të këtij aktual ka pasur më shumë dështime se sa triumfe në ndeshjet me skuadrat e mëdha.
Dy humbje brenda katër ditësh janë një kafshatë që nuk kapërdihet lehtë. Derbi dhe disfata ndaj Atletico Madrid në Europë e fusin Interin në një krizë ekzistenciale: luan si i barabartë me të gjithë, por nuk fiton thuajse asnjëherë.
Në asnjë nga 5 humbet sezonale të besuarit e Chivu nuk kanë qenë inferiorë ndaj kundërshtarit. Përkundrazi, shpesh kanë marrë më pak nga sa kanë dhënë në fushë.
Një situatë paradoksale, nga e cila zikaltrit nuk po arrijnë të dalin. Në vitin 2025 Interi nuk ka fituar pothuajse asnjëherë ndaj rivalëve. Fitoret në këto ndeshje numërohen me gishtat e njërës dorë.
Po të shohim sfidat ndaj Milan, Napoli, Juventus dhe Roma, si dhe rrugëtimin në Champions League (dy ndeshjet ndaj Bayern, Barcelona dhe finalen ndaj Psg), gjatë vitit kalendarik ka arritur vetëm 2 fitore në 17 përballje. Bëhet fjalë për ndeshjen e parë në Mynih kundër Bayern dhe kundër Roma në tetor. Është edhe gjysmëfinalja e paharrueshme e kthimit ndaj Barcelona, por në atë rast fitorja erdhi pas minutës së 90-të.
Po të llogarisim vetëm ndeshjet direkt me Milan, Napoli dhe Juventus, suksesi ndaj njërit prej këtyre ekipeve mungon që prej derbit, ku Interi qëndisi yllin e dytë në fanellë, më 22 prill 2024.
“Thatësirë” shumë e gjatë për një skuadër të këtij niveli. Rezultatet në fushë në fakt ngrenë pikëpyetje për nivelin real të ekipit zikaltër. Trajneri Chivu duhet të gjejë zgjidhjen, që Interi të ecë në Champions, apo të tentojë të arrijë diçka të rëndësishme, siç është titulli.