Seria A po përballet me një sfidë të re financiare që rrezikon të ndalë lëvizjet e disa klubeve në merkaton e janarit.
Pas “indeksit të likuiditetit”, që tashmë është bërë i famshëm, një tjetër parametër pritet të sjellë kufizime të forta: “kostoja e zgjeruar e punës”, një tregues që mat raportin mes shpenzimeve totale të punës (përfshirë amortizimet e kartonëve të lojtarëve, pagat dhe kontributet e përgjithshme) dhe të ardhurave të klubit.
Përjashtim nga llogaritja bëjnë vetëm lojtarët italianë Under-23, ndërsa për të huajt rregulli mbetet i pandryshuar. Qëllimi është të nxitet rritja e talentëve vendas, më shumë sesa të lehtësohen financat e klubeve.
Gjashtë klube në rrezik bllokimi
Sipas ‘Il Messaggero’, gjashtë skuadra mund të përballen që në janar me kufizime serioze në merkato: Lazio (e bllokuar edhe në verë), Napoli, Atalanta, Fiorentina, Torino dhe Genoa.
Këto klube mund të detyrohen të realizojnë plusvalenca, rritje kapitali ose të veprojnë me bilanc zero gjatë dritares së dimrit, për të shmangur ndalimin e plotë të merkatos.
Deri më 30 nëntor, të gjitha shoqëritë duhet të dorëzojnë bilancet me datë 30 shtator në Komisionin e ri të kontrollit, i cili më pas ia kalon dosjet FIGC-së për vendimin përfundimtar. Vetëm atëherë do të mësohet nëse edhe klube të tjera do të përjetojnë vështirësitë që po kalon Lazio e Lotitos, e cila pa lëvizje të jashtëzakonshme nuk do të ketë duart e lira në janar.
Rreziku nuk mbaron në janar
Nga qershori i vitit 2026, klubet italiane do të duhet të përmbushin edhe kriteret e reja ekonomike të UEFA-s. Mosrespektimi do të thotë gjobë dhe bllokim merkatoje, duke shtuar presionin mbi drejtuesit në çdo hap të planifikimit sportiv.
Në këtë panoramë të re financiare, Serie A rrezikon të shndërrohet në një kampionat ku lëvizjet e merkatos do të jenë gjithnjë e më të kufizuara dhe ku çdo gabim ekonomik mund të ketë pasoja të menjëhershme.