Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Moska do t’i ndalë armiqësitë në Ukrainë nëse forcat e Kievit bien dakord në disa pika të panegociueshme për Moskën
Dhe kryesorja mbetet që Kievi të tërhiqet nga territoret që Rusia kërkon të aneksojë.
“Nëse forcat ukrainase tërhiqen nga territoret e pushtuara, ne do t’i ndalojmë armiqësitë. Nëse ata nuk tërhiqen, ne do t’i dëbojmë me operacione ushtarake”, tha Presidenti rus të enjten, më 27 nëntor, në një konferencë për shtyp në Bishkek, gjatë vizitës së tij në Kirgistan, informon “Le Monde”.
Putini nuk sqaroi nëse po i referohej vetëm rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, në Ukrainën lindore, të cilat konsiderohen përparësi për Kremlinin, apo edhe atyre të Khersonit dhe Zaporizhias, në jug, informon BBC.
Udhëheqësi rus tha gjithashtu se linjat kryesore të planit të paqes për Ukrainën të paraqitur nga Donald Trump mund të “shërbejnë si bazë për marrëveshjet e ardhshme” që synojnë përfundimin e konfliktit.
Ai shtoi se Moska kishte marrë gjithashtu versionin e ri të planit, i cili doli nga bisedimet midis amerikanëve, ukrainasve dhe evropianëve në Gjenevë.
Vladimir Putin nuk specifikoi se për cilin version të planit po i referohej, por shprehu kënaqësinë që Uashingtoni e kishte marrë parasysh qëndrimin e Rusisë, por vuri në dukje se disa pika mbeteshin për diskutim. I dërguari i Donald Trump, Steve Witkoff, pritet të vizitojë Moskën së shpejti, shtoi ai.
Territoret që Rusia kërkon të aneksojë janë treguar me të kuqe në hartë.
“Rusia nuk po planifikon një sulm ndaj Evropës”
Më parë, Presidenti rus e hodhi poshtë kategorikisht pretendimin se vendi i tij po planifikon një sulm ndaj Evropës, duke e quajtur atë “qesharake”.
Në të njëjtën kohë, ai deklaroi se Moska është e gatshme të diskutojë sigurinë evropiane, si dhe stabilitetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se “ne jemi gati për një diskutim serioz”.