Milani vjen i karikuar pas fitores së mad he në derbi, një sukses që ka rikthyer entuziazmin rreth skuadrës dhe ka forcuar besimin te projekti i Masimiliano Alegrit. Por trajneri kuqezi nuk dëshiron që gëzimi i derbit t’i shpërqendrojë lojtarët nga objektivat madhorë.
Përpara se të hyjnë në një kalendar më të butë, ku i presin Torino, Sassuolo, Komo, Verona, Kaljari dhe Xhenoa, në “San Siro” mbërrin Lacio – testi i fundit i vërtetë i këtij segmenti të kampionatit.
Sezoni i kaluar kundër bardhekaltërve ishte i zymtë për kuqezinjtë: vetëm një pikë e marrë në dy ndeshje, me një barazim në Romë dhe një humbje në shtëpi. Alegri dëshiron të fshijë atë ecuri dhe të vazhdojë ritmin pozitiv të këtij sezoni, ku Milani ka treguar fytyrën më të mirë pikërisht në ndeshjet me rivalët e mëdhenj të Serie A. Edhe bilanci personal i trajnerit kundër Sarrit – 11 fitore në 19 përballje – tregon një traditë pozitive, por Maks e ul tonin:
“Lacio është nënvlerësuar. Sarri po bën një punë të shkëlqyer, kanë 18 pikë pavarësisht dëmtimeve dhe merkatos së vështirë. Do të jetë ndeshje shumë e komplikuar, sepse të japin idenë se lëshojnë hapësira, por në fakt të lënë shumë pak.” Mesazh i qartë dhe për skuadrën: rreziku më i madh pas derbit, sipas Alegrit, është vetëkënaqësia. “Bukur të fitosh derbin, por objektivi është të futemi në katër vendet e para. Të gjitha ndeshjet duhen luajtur sikur përballesh me një skuadër të madhe. Lacio ka fituar trofe dhe ka luajtur Champions shumë herë në dekadën e fundit.”
Në frontin e dëmtimeve lajmet nuk janë të gjitha pozitive. Pulisiç nuk do të jetë i gatshëm, ndërsa Salemaekers ka rikuperuar plotësisht. Himenez pritet t’i bashkohet grupit javën e ardhshme. Situata më e paqartë mbetet ajo e Kris: “Është një djal i mirë, por nuk të bën kurrë të kuptosh si ndihet realisht.
Gjithmonë do të ndihmojë ekipin, por duhet të kuptojmë gjendjen e tij fizike.” Në këtë skenar, përpara mund të aktivizohet Kristofer Nkunku. Shuma prej 40 milionësh e paguar për të ka ngritur pritshmëritë, por goli dhe paraqitjet ende mungojnë:
“Nuk duhej pritur më shumë prej tij në fillim. Erdhi vonë, kishim nevojë ta stërvitnim. Tani po rikthehet në formë dhe pres që deri në fund të vitit të tregojë potencialin e tij të plotë. Është lojtar me teknikë dhe forcë të madhe.” Ky Milan, megjithatë, duket se ka gjetur një pikë të patundshme: Aleksis Salemakers. Alegri e vlerëson, por i kujton se ka ende rrugë për të bërë: “Të dielën bëri ndeshjen më të mirë të vitit. Ndaj Napolit pas golit humbi pak ekuilibrin.
Ka potencial të madh, duhet të punojë për stabilitet.” Një tjetër gur themeli është Majk Menjan, i cili po shkëlqen në sezonin e ri. Alegri nuk habitet: “Ka qenë gjithmonë ndër portierët më të fortë.
Për kontratën po punon klubi. Me të flas vetëm për fushën dhe e shoh të qetë, në formë, i fokusuar. Po tregon të gjitha cilësitë që ka.” Milani ka nisur të ecë shpejt – por Alegri kujton se rruga është e gjatë dhe ndaj Lacios nuk lejohen hapat fals.