Joan Laporta nuk u përmbajt ndaj Real Madridit:
“Në asamble e tyre sulmuan edhe presidentin e La Liga-s, kjo më bën të mendoj keq.
Edhe unë kam pasur mosmarrëveshjet e mia me Javier Tebas, por është person fisnik dhe e jeton me shumë pasion detyrën e tij. Kemi një marrëdhënie normale, jo të privilegjuar, dhe nuk e kërkojmë një të tillë.
Kemi një marrëdhënie normale, ndërsa Real Madridi ka marrëdhënie konfrontuese me La Liga-n dhe është fiksuar ta largojë dhe të vendosë dike tjetër…
Kjo nuk më jep besim. Javier Tebas bën gjithçka që mundet për të mirën e La Liga-s, që të jetë kompetitive, ndaj më bën të dyshoj fakti që përpiqen ta heqin për të vendosur kë? Nuk i besoj kësaj strategjie”.
Humbja ndaj Chelsea – “Fola me Flick, duke u kthyer nga Londra…
Më pëlqeu reagimi i Hansit dhe ekipit, që po bashkohen. Trajneri është optimist dhe unë besoj se ai rezultat do të jetë një pikë kthese.
Shpeshherë, në historinë tonë, një rezultat i keq na ka katapultuar drejt një sezoni të mirë, me suksese. Jam i sigurt që kështu do të ndodhë. E shoh ekipin të bashkuar”.
Kritikat ndaj Ronald Araujo – “Kartoni i parë ndaj tij ishte shumë i rreptë. Dua ta mbroj dhe inkurajoj atë. Është kritikuar shumë, çka nuk e konsideroj të drejtë. Ai jep gjithçka në fushë, është kapiteni ynë.
Duhet ta kalojë këtë moment. E ka përjetuar keq. Dua t’i them që jemi me të, se fitojmë dhe humbim të gjithë bashkë. Jemi një ekip. Nuk ka një njeri të vetëm përgjegjës për fitoret apo humbjet”.