Elbasani dhe Partizani u ndanë në një 0-0 të fortë në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e javës së 13-të të Superiores. Pas sfidës, trajneri i të kuqve, Oltijon Kërnaja, u shfaq i sinqertë dhe kritik ndaj paraqitjes së skuadrës së tij.
“Së pari dua t’u uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar 28-29 Nëntorin”, tha Kërnaja, përpara se të hynte te analiza. “S’jam i kënaqur me lojën.
Rezultati ishte i drejtë, por me rastet që krijuam, topi duhej të kishte përfunduar në rrjetë. Futbolli i njeh të tri rezultatet dhe sot morëm një rezultat pozitiv, por jo performancën që dua.”
Trajneri i Partizanit theksoi se problemet nuk lidhen me repartin ofensiv, por me rrethanat e ndeshjes. Sipas tij, terreni dhe lodhja në minutat e fundit ndikuan, duke përmendur rastet e Tomës me kokë dhe mundësinë e fundit të Diego-s. “Në disa momente ishim konfuzë”, pranoi ai.
Kërnaja sqaroi edhe dy zëvendësimet e detyruara: “Kolën e nxora për shkak të kartonit të verdhë, nuk doja të rrezikoja një të kuq. Ndërsa Mehmeti kishte probleme në kontraktim.”
Megjithë barazimet e fundit, trajneri mbetet optimist për objektivin sezonal. “Final 4? Duke mos humbur, po hedhim hapa cilësorë drejt fitores.
Kemi tri ndeshjet e radhës në Tiranë dhe me 9 pikë mund ta kapim Final 4. Mund të ndodhë!”.