Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani, po përjeton një fazë të ndërlikuar në karrierën e tij pas transferimit të bujshëm nga Rapid Bukureshti te Sparta Praga.
Kalimi i tij prej 5 milionë eurosh, së bashku me 15% të kartonit për shitjen e ardhshme, e bëri lojtarin 25-vjeçar blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit rumun, por pritjet e larta nuk po përkthehen në paraqitje të mira në kampionatin çek.
Performanca e Rrahmanit ka rënë dukshëm në javët e fundit, gjë që është vënë në pah edhe nga media çeke “Ruik”, e cila thekson se ai nuk ka arritur të shënojë apo të asistojë në tetë ndeshjet e fundit. Madje artikulli i tyre mban titullin kritik:
“Sparta nuk ka sulmues! Kuchta dhe Rrahmani jashtë forme, ndërsa transferimi i Millas ishte gabim”.
Sipas “Ruik”, Rrahmani ka humbur shkëlqimin dhe energjinë që tregoi në fillim të sezonit:
Lojtari nga Kosova nisi furishëm aventurën e tij me gola vendimtare në Ligën e Konferencës dhe kampionat, por që prej derbit kundër Slavia Prague nuk ka arritur të gjejë më rrugën e rrjetës.
Mediumi vëren se ai nuk ka shënuar që nga 5 tetori, ndërsa në sfidën ndaj Varshavës është dukur krejtësisht i zbehtë – me vetëm 15 prekje të topit dhe asnjë driblim përgjatë 60 minutave në fushë.
Statistikat e përgjithshme tregojnë për kontrast të madh mes dy edicioneve të tij te Sparta:
Sezoni i parë: 34 ndeshje, 10 gola dhe 3 asistime
Sezoni aktual: 26 ndeshje, 9 gola dhe 2 asistime
Përkundër fillimit premtues, Rrahmani po përballet me një periudhë që kërkon rikthim të ritmit dhe vetëbesimit për të qenë sërish vendimtar për klubin e tij dhe Kosovën.