Tare flet për ndikimin e Luka Modriçit te Milani

- Bota Sot

Tare flet për ndikimin e Luka Modriçit te Milani

Legjenda kroate, Luka Modriç, po i impresionon tifozët e Milanit me paraqitje.

Kroati në verë u largua nga Real Madridi pas 13 vjetësh dhe vendosi për Milanin. Jo të gjithë ishin të bindur se ai mund të jetë i vlefshëm për skuadrën kuqezi. Por drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare i besoi 40-vjeçarit dhe tani po del që vendimi i tij ishte plotësisht i qëlluar.

Milani po vazhdon me rezultate shumë pozitive dhe është fuqishëm në garë për titull. Të shtunën mbrëma Milani fitoi 1:0 në derbin e radhës, atë ndaj Lazios.

Modriçi ka startuar në të gjitha 13 ndeshjet e deritashme, ndërsa vetëm në dy prej tyre është zëvendësuar. Ndaj Lacios luajti shkëlqyeshëm për 104 minuta, aq sa edhe zgjati ndeshja e tensionuar. Tifozë të Milanit dhe media të afërta të këtij klubi tashmë po kërkojnë që klubi t’ia vazhdojë kontratën ikonës kroate.

“Ndikimi i tij është i mahnitshëm.

Ai është zbulim shumë i bukur, por duke e njohur nga afër, si njeri dhe profesionist, kjo nuk është befasi. Gëzohet si fëmijë dhe secilën ndeshje e përgatitë në detaje.

Shpresoj që do të mund ende të luajë me ne. E ka opsionin edhe për një vit tjetër, por jemi pajtuar që në qetësi do të merremi vesh për rrugën e tij”, ka thënë Tare për “Gazzetta dello Sport”.

Drejtuesi shqiptar i Milanit ka treguar se si klubi erdhi tek ideja e angazhimit të Modriçit.

“E kemi analizuar detajisht edicionin e kaluar dhe kemi kuptuar që na duhet një lojtar me personalitet, i cili menjëherë do të ketë ndikim të madh në ekip. Ndikimi i Modriçit u dëshmua të jetë shumë i madh”, ka thënë Tare.



Lexoni të gjitha në Bota Sot