FC Barcelona u rikthye te fitorja pas humbjes zhgënjyese ndaj Chelseat, duke mposhtur Deportivo Alaves 3-1 në “Spotify Camp Nou”.
Megjithatë, trajneri Hansi Flick nuk doli plotësisht i kënaqur nga paraqitja, ndërsa një foto e tij i ulur i dëshpëruar në pankinë pas ndeshjes u bë virale, duke shkaktuar shqetësim te tifozët blaugrana.
Në imazh, tekniku gjerman shihet i frustruar, para se t’i afrohet Raphinha për një bisedë të shkurtër. Raportimet fillestare sugjeronin se Flick po kalonte një periudhë të vështirë dhe ndihej i “lodhur dhe i pafuqishëm” pas javës së tensionuar për Barcelonën.
Mirëpo sipas Mundo Deportivo, Barcelona ka mohuar çdo problem të brendshëm. Klubi ka sqaruar se Flick ishte i mërzitur vetëm nga incidentet gjatë lojës.
Trajneri përfundoi ndeshjen i irrituar me gjyqtarin e katërt, Alvaro Canovas Garcia-Villarrubia, pas kartonëve të kuq që morën trajneri i portierëve Jose Ramon de la Fuente dhe asistenti Marcus Sorg, të cilët u përjashtuan për protesta nga pankina.
Humbja e dy anëtarëve të rëndësishëm të stafit nënkupton se Flick nuk do t’i ketë të disponueshëm në ndeshjet e radhës kundër Atletico Madrid dhe Real Betis.
Një tjetër arsye e zemërimit të tij ishte penalltia e paakorduar ndaj Lamine Yamal në pjesën e parë. Yamal u rrëzua në zonë nga mbrojtësi Victor Parada, por arbitri Miguel Angel Ortiz Arias nuk mori vendim, ndërsa VAR-i nuk ndërhyri pavarësisht kontaktit të dukshëm.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, Flick e përfundoi sfidën i tensionuar, edhe pse skuadra mori tre pikë të rëndësishme.