Muçi vendos rekord të ri me Trabzonsporin

- Bota Sot

Muçi vendos rekord të ri me Trabzonsporin

Ernest Muçi ka qenë protagonisti kryesor i Trabzonsporit në javën e fundit duke ndihmuar skuadrën e tij të merrte dy fitore radhazi, falë 3 golave që shënoi. Edhe të shtunën, në suksesin 3-1 përballë Koniaspor, ai fitoi fillimisht penallti për barazimin 1-1 e më pas edhe shënoi një gol me një goditje dënimi spektakolare.

Lojtari ishte protagonist absolut në çdo sulm të Trabzonsporit dhe këtë e tregon më së miri statistika e 11 prekjeve të topit në zonë e rreptësisë kundërshtare gjatë minutave që ishte në fushë në këtë takim.

Ky ishte rekordi personal i Muçit në kampionatin turk sa i përket kësaj statistike, pasi një gjë të tillë nuk e kishte arritur asnjëherë më parë me fanellën e Beshiktash, ku dukshëm nuk i është besuar kaq shumë në fazën ofensive.

Vetë futbollisti u shpreh i kënaqur pas kësaj fitoreje, ku ekipi iu bashkua Fenerbahçes së vendit të dytë në kuotën e 31 pikëve, ndërsa Gallatasaraj ka një pikë më shumë.

Dy skuadrat e Stambollit përballen këtë të hënë dhe për këtë arsye, fitorja merrte një rëndësi të veçantë.

“Ne e dinim që sot do të ishte thelbësore. Meqë të dy skuadrat e kreut në kampionat do të luajnë me njëra-tjetrën, ne e dinim që do të ishte thelbësore për ne që t’u afroheshim. Nuk deshëm të kalonim në disavantazh, por pas barazimit, treguam karakter dhe vendosmëri, ndaj morëm tre pikët.

Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë, nuk duhet të dorëzohesh kurrë në jetë. Javët e para të sezonit nuk ishin siç e prisja, por çdo gjë mund të ndryshojë në një moment. Duhet të qëndrosh i fokusuar. Ne do të qëndrojmë të fokusuar”, theksoi sulmuesi i kombëtares shqiptare.



Lexoni të gjitha në Bota Sot