FFK shpall më të mirin e javës në Superligë

- Bota Sot

FFK shpall më të mirin e javës në Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për futbollistin më të dalluar të javës në Superligën kosovare. Për javën e pesëmbëdhjetë, ky nder i takoi Donat Hasanajt të FC Prishtina e Re, i cili shkëlqeu në ndeshjen kundër FC Prishtina, duke kontribuar në fitoren 4:1 të skuadrës së tij.

Edhe pse mbrojtës, Hasanaj shënoi një gol dhe realizoi ndërhyrje kyçe gjatë 90 minutave të ndeshjes, duke bindur Komisionin e Veteranëve të Futbollit, përbërja e të cilit përfshin Fatmir Mehmeti, Agim Maliqi dhe Muhamet Sylejmani, që t’i jepte këtë vlerësim.

Pas marrjes së çmimit, Hasanaj u shpreh i lumtur për njohjen: “Kemi pasur një ndeshje shumë të vështirë kundër FC Prishtina, të cilët kryesojnë tabelën, por edhe ne e kemi përgatitur ndeshjen kundër tyre shumë mirë. Është e vërtetë që kemi pasur shumë ndryshime, duke na u ndërruar në 15 xhiro tre trajnerë, por atmosfera momentale është shumë e mirë në skuadër.

Si në aspektin individual, ashtu edhe në atë ekipor, kemi luajtur shumë mirë dhe e shfrytëzoj rastin t’i falënderoj bashkëlojtarët për kontributin, që unë ta marr këtë çmim sot,” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.



Lexoni të gjitha në Bota Sot