Flick: Barça s`është si në sezonin e kaluar, por kam besim për përmirësim

- Bota Sot

Flick: Barça s`është si në sezonin e kaluar, por kam besim për përmirësim

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka pranuar se ekipi i tij nuk është në formën e nivelit të sezonit të kaluar, por është i sigurt se gjërat do të ndryshojnë.

Flick është shprehur i kënaqur që disa lojtarë të lënduar janë rikthyer në stërvitje para ndeshjes të rëndësishme kundër Atletico Madrid. Barcelona është ngritur në krye të La Ligës pas fitores 3-1 ndaj Alaves, ndërsa Atletico mbetet vetëm tre pikë larg në vendin e katërt.

Pedri është rikthyer pas më shumë se një muaji mungesë për shkak të një problemi me muskujt, dhe pritet të startojë kundër Atletico, së bashku me Frenkie de Jong, i cili ka munguar ndaj Alaves për arsye familjare.

Megjithatë, Flick e ka konfirmuar se mbrojtësi uruguaian Ronald Araujo nuk do të luajë.

“Jam shumë i kënaqur. Lojtarët po kthehen, ndoshta mund të rrisim nivelin tonë. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Flick.

Ai e ka pranuar se Barcelona duhet të përmirësohet pas disa rezultateve zhgënjyese ndaj ekipeve si Chelsea, Real Madrid dhe Paris Saint-Germain.

“E di që nuk jemi në nivelin e sezonit të kaluar, por kemi potencial dhe duhet të rrisim nivelin tonë”, ka shtuar trajneri gjerman.



Lexoni të gjitha në Bota Sot