Sulmi i Tiranës po kalon një periudhë të vështirë, ndërsa skuadra po përballet me mungesë efikasiteti dhe kreativiteti në fazën ofensivë. Në katër takimet e fundit, asnjë nga sulmuesit kryesorë si Serzh Tabeku, Falaje, Fernandez, Mensah, Haxhiu apo Abel Abah nuk ka arritur të shënojë, ndërsa goli i vetëm u realizua nga Zhunior në përballjen ndaj Flamurtarit.
Kjo periudhë tregon qartë se Tirana ka humbur ritmin në fazën sulmuese, një problem që ka filluar të ndikojë edhe në rezultatin e skuadrës. Pas derbit me Partizanin, në shtatë ndeshjet e fundit bardheblutë kanë shënuar vetëm tre herë: Tabekou në përballjet me Elbasanin dhe Vllazninë dhe Zhunior ndaj Flamurtarit.
Përpjekja e trajnerit Ardijan Nuhiju me skemën 5-3-2, ndaj Egnatias solli ekipin më shumë pranë golit dhe tentoi të balancojë mes mbrojtjes dhe sulmit, por lojtarët nuk arritën të konkretizonin mundësitë e krijuara, duke e lënë sulmin pa efektivitet.
Statistikat e sulmit tregojnë qartë problemet. Tirana ka qenë e paaftë për të shënuar rregullisht në takimet e fundit, duke u mbështetur kryesisht te Tabeku dhe Zhunior, të cilët kanë realizuar golat e pakët të ekipit.
Mungesa e golave ka ndikuar edhe në rezultate, pasi bardheblutë kanë humbur mundësinë për të marrë pikë të rëndësishme dhe për të ruajtur presionin ndaj rivalëve në klasifikim. Kjo periudhë e vështirë tregon se Tirana duhet të gjejë urgjentisht një ritëm sulmues të qëndrueshëm.
Rikthimi i golave, rritja e koordinimit mes sulmuesve dhe përshtatja e skemës 5-3-2 apo e ndonjë alternative taktike mund të jenë vendimtare për të përballuar sfidat e mbetura të sezonit.
Tifozët dhe analistët presin një rikthim të fuqishëm të sulmit të Tiranës, veçanërisht për ndeshjet vendimtare ndaj rivalëve kryesorë si Partizani dhe Dinamo, ku çdo gol dhe çdo fitore ka rëndësi të madhe për titullin dhe renditjen finale të Superiores. Për trajnerin Nuhiju, gjetja e një ekuilibri midis lojtarëve të rinj dhe të përvojës do të jetë çelësi për të tejkaluar këtë krizë.