Capello: Ja çfarë ka ndryshuar te Milani këtë sezon

- Bota Sot

Capello: Ja çfarë ka ndryshuar te Milani këtë sezon

Fabio Capello, në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’, ka analizuar formën e jashtëzakonshme të Milanit në këtë fillim sezoni, duke vlerësuar punën e trajnerit Massimiliano Allegri, i cili, sipas tij, ka ndryshuar fytyrën e ekipit shumë më shpejt sesa pritej.

“U besoja aftësive të Allegrit, por nuk mendoja se do të arrinte të hynte kaq shpejt në kokën e lojtarëve, sidomos duke marrë parasysh atë që kishte ndodhur sezonin e kaluar,” – tha Capello. “Një vit më parë skuadra nuk dinte aspak si të pozicionohej dhe si të mbrohej. Max ka ditur t’i japë rend, ekuilibër dhe qartësi lojës.”

Sipas tij, një rol kyç kanë luajtur edhe Adrien Rabiot dhe Luka Modric, që i kanë dhënë mesfushës një filtër dhe një stabilitet që Milanit i kishte munguar sezonin e kaluar.

Sa i përket fazës mbrojtëse, Capello ndan të njëjtin mendim me Allegrin: “Fiton kush pëson më pak gola, jo kush shënon më shumë. Kjo nuk do të thotë se sulmi nuk duhet të përmirësohet, e them këtë si për Milanin, ashtu edhe për Napolin.”

Ai u ndal edhe te forma e Rafael Leão-s, i cili ka shkëlqyer në rolin e qendërsulmuesit:

“Në fillim e pashë të pasigurt, sikur nuk ishte i përshtatur me atë rol. Por më pas golat i dhanë vetëbesim. Allegri e ka bindur dhe në dy ndeshjet e fundit e kam parë më të lirshëm, më të gëzuar, më të çlodhur. Ndihmon ekipin, merr pjesë në lojë dhe duket më i freskët fizikisht, edhe sepse nuk ka më detyrime të shumta mbrojtëse.”

Sipas Capellos, përgjegjësia e re e ka bërë Leão-n më të përqendruar se kurrë:

“E di që në zonë duhet të jetë sa më cinik. Ky është një hap i madh për të dhe për Milanin.”

Me Allegrin në stol dhe me disiplinën e re të skuadrës, Capello beson se Milani është bërë sërish një ekip i vështirë për t’u thyer dhe një kandidat serioz për objektiva të mëdhenj.



Lexoni të gjitha në Bota Sot