Kukësi ka bërë kthesën që i nevojitej dhe tani ka nisur të besojë sërish te ngjitja në tabelë dhe rikthimi në garën për mbijetesë. Fitorja ndaj Burrelit në shtëpi ka rritur ndjeshëm moralin në kampin verilindor, ku të gjithë shpresojnë të vijojnë me rezultate pozitive.
Në përfundim të sfidës, autori i golit të dytë, Klevis Hilaj, foli për këtë triumf, duke theksuar se skuadra ka nisur më në fund të gjejë ritmin e duhur. “Jam shumë i lumtur që jam rikthyer me gol, por më shumë për rikthimin te tri pikët. Ishte shumë e rëndësishme për ne.
Mendoj se kjo fitore është një sinjal i qartë se mund të bëjmë kthesën dhe të ecim përpara. Fryma në skuadër është shumë e mirë, kemi lojtarë cilësorë, por deri tani fati nuk ka qenë me ne”, u shpreh futbollisti i Kukësit. Ndërkohë, verilindorët synojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive në ndeshjen e radhës, ku të nesërmen do të luajnë në transfertë ndaj Lushnjës.
Bëhet fjalë për një duel direkt për zonën e mbijetesës, një sfidë ku çdo pikë vlen dyfish. Kuksianët janë të vendosur të marrin një rezultat pozitiv, duke kërkuar jo vetëm të largohen nga fundi i tabelës, por edhe të konfirmojnë ritmin e ri që kanë nisur të ndërtojnë.
Një sukses në Lushnjë do të ishte një tjetër sinjal i fortë se Kukësi është kthyer plotësisht në garë dhe se pjesa e mbetur e kampionatit mund të sjellë edhe më shumë surpriza pozitive për ta.