Trajneri i Barçës sqaron arsyen përse qau

- Bota Sot

Trajneri i Barçës sqaron arsyen përse qau

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick ka sqaruar arsyet se përse shpërtheu në lot në sfidën ndaj Alaveshit në kampionatin spanjoll. Tekniku gjerman u shpreh se ishte i zhgënjyer me ndeshjen dhe me kartonin e kuq të marr nga zëvendësi i tij në pankinë.

Trajneri i Barcelonës Hansi Flick u pa i tronditur dhe me lot në sy gjatë ndeshjes me Alaveshin fundjavën e kaluar ka bërë bujë në Spanjë e jo vetëm.

Pas shumë spekulimeve në rrjetet sociale dhe në media, trajneri gjerman ka vendosur të sqarojë publikisht arsyet e reagimit të tij.

Pamjet e shkëputura nga pankina e Barcelonës u shpërndanë me mijëra herë në rrjetet sociale. Në to shihej trajneri Hansi Flick i ulur, i tensionuar, ndërsa sulmuesi brazilian Raphinha përpiqej ta qetësonte.

Reagimi i teknikut gjerman u interpretuar si shenjë dorëzimi, krizë emocionale apo madje edhe si konflikt i brendshëm në skuadër.

Por vetë Flick i ka quajtur të gjitha këto zëra si spekulime.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Atletico Madridin në La Liga, 60-vjeçari vendosi të fliste hapur dhe të jepte versionin e tij të vërtetë. Sipas Flick, gjithçka kishte të bënte me zhgënjimin e atij momenti në lojë dhe jo me ndonjë situatë personale.

“Është qesharake se si kanë shkuar gjërat. Nuk e di kush filloi të analizonte pamjet.

E thashë tashmë se isha i zhgënjyer me ndeshjen dhe me kartonët e kuq që morëm. Shikova përreth dhe u thashë të qëndronin të qetë.

Kur shënuam golin e tretë, Markus mori një karton të kuq dhe unë fola me të. Ai është miku im, personi më i rëndësishëm që kam këtu, dhe e kisha bisedën në mendje, deklaroi ai.

 

“Mendova se po të shkoja në dhomën e zhveshjes do të thosha diçka më shumë, por preferova të rrija jashtë dhe të merrja pak ajër të pastër.

Nuk doja të debatoja me Markus Sorg. Jam mirë dhe jam gati për çfarëdo që të sjellë sezoni.

E di situatën e klubit dhe jam i lumtur që jam këtu. Këto ndeshje të konsumojnë shumë energji, por kur kthehem në shtëpi relaksohem dhe nis përgatitjen për sfidën tjetër, theksoi gjermani.

Me këtë sqarim, Flick përpiqet të shuajë çdo aludim mbi gjendjen e tij emocionale apo të ardhmen në Barcelonë. Ai tha se skuadra është në rrugën e duhur dhe se puna po jep rezultat, pavarësisht tensioneve momentale që sjell futbolli i elitës.

Barcelona shpreson që këto episode të mos ndikojnë në atmosferën e ekipit, teksa sezoni është ende i gjatë dhe presioni për rezultate mbetet i lartë.

Barcelona fitoi 3-1, por kartonët e kuq dhe tensioni në pankinë duket se ndikuan tek gjendja emocionale e trajnerit. Flick tregoi se në ato minuta po përpiqej të largonte veten nga situata për të mos nxitur debat me ndihmësin e tij, Markus Sorg.



Lexoni të gjitha në Bota Sot