Fundi i ndeshjes mes Milanit dhe Lacios në kampionat ka qenë shumë i tensionuar për shkak të episodit të penalltisë që nuk u akordua pas shumë minutash pritje për rishikimin në VAR, gjatë të cilëve shpërtheu edhe një zënkë e trajnerit Alegri me një pjesëtar të stafit të kundërshtarëve.
Dhe trajneri i Lacios, Maurico Sarri, mendon se ka një mënyrë për të shmangur këtë tension dhe për të mundësuar që gjyqtari të marrë një vendim i qetë.
Para ndeshjes që dy skuadrat do të kenë përsëri këtë mesjavë, këtë radhë për Kupën e Italisë, Sarri ka dhënë mendimin e tij rreth situatës që u krijua.
“E vetmja gjë që mund të them është se skena që pashë, bëri të më kalonte në mendje një sugjerim.
Le të vendosim kabinën e VAR nga ana e kundërt e pankinave, pasi në këtë mënyrë mund të ndizen mekanizma që mund të çojnë në përjashtime me të kuq apo skena të shëmtuara. Gjyqtari duhet të shkojë dhe të marrë një vendim.
Dhe duhet ta marrë me një qetësi të ndryshme nga ajo që kam parë unë”, tha Sarri duke kujtuar momentet e fundit të ndeshjes mes Milanit dhe Lacios.