Trajneri i Totenhemit, Tomas Frank, kritikoi disa nga tifozët e klubit për inatin e shfaqur në adresë të portierit Vikario, përderisa gardiani italian ishte fajtor për golin e dytë të Fulham në humbjen 2-1 në shtëpi.
Vikario doli shumë larg portës së tij dhe ia dhuroi zotërimin e topit Fulhamit përpara se Uilson të shënonte me një gjuajtje mahnitëse nga 35 metra në një portë të pambrojtur në minutën e gjashtë.
Dy minuta më parë ai nuk mundi të bënte asgjë, teksa gjuajtja e ulët e devijuar e Tetes përfundoi në rrjetë, përtej tij.
Ajo e së shtunës ishte humbja e 10-të në shtëpi e “Spurs” në Premier Ligë për 2025-n, teksa fansat vërshëllyen ekipin në pushimin e pjesës së parë dhe në përfundim të ndeshjes.
Gjë që ndoshta nuk pritej. Frank deklaroi se nuk mund ta pranonte trajtimin ndaj lojtarit të Kombëtares italiane.
“Kur je 2-0 në disavantazh pas gjashtë minutash, atëherë ke një mal për të ngjitur.
Kur je në një periudhë të keqe, gjithçka duket se shkon kundër teje gjithashtu.
E para ishte një gjuajtje e devijuar, e dyta ishte një gabim nga Vikario. Nuk më pëlqeu që tifozët tanë e vërshëllyen menjëherë pas ndeshjes dhe disa herë më pas.
Ata nuk mund të jenë tifozë të vërtetë të Totenhemit, sepse të gjithë duhet të mbështesin njëri-tjetrin. Kur je në fushë dhe ne bëjmë gjithçka që mundemi për të luajtur mirë. Nuk kam problem që ata vëshëllejnë pas ndeshjes, por jo gjatë ndeshjes. Kjo është e papranueshme sipas mendimit tim”, përfundoi danezi Frank.