Granit Xhaka tashmë ka shprehur shpresën e tij që Florian Wirtz të ketë një mbrëmje të keqe të mërkurën, kur Liverpooli e pret Sunderlandin.
Të dy janë njohur mirë gjatë kohës së tyre te Bayer Leverkusen, ku luajtën role kyçe në triumfin e skuadrës në Bundesliga në vitin 2024.
Të dy u transferuan në Premierligë verën e kaluar, por disi befasuese, është Xhaka, i cili kushtoi rreth 10% të shumës që Liverpool pagoi për Wirtz, ai që ka pasur një ndikim më të menjëhershëm këtë sezon.
Ai ka qenë një shtyllë te Sunderlandi, që aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë në tabelën e Premierligës dhe, pabesueshëm, është një pikë para kampionëve në fuqi.
Xhaka ka luajtur çdo minutë këtë sezon për “Black Cats” dhe ka dhënë një gol dhe katër asistime.
Ndërkaq, Wirtzi ende po kërkon përfshirjen e tij të parë në gol në Premierligë që nga transferimi në “Anfield” verën e kaluar.
Por Xhaka ka mbështetur ish-shokun e tij të skuadrës për të pasur sukses te Liverpool.
“Flo Wirtz, pata kënaqësinë të isha me të për tre vite. Shumë anglezë do të kënaqen me të, ishte i pabesueshëm, jo vetëm me topin, por edhe në punën pa topin,” tha ish-lojtari i Arsenalit për “Sky Sports” në tetor.
“Nuk kam parë shumë numra 10 në nivelin e tij me ose pa topin.
Të jetë në moshën e tij, 20, 21 vjeç, të ketë këtë mentalitet, të punojë çdo ditë para stërvitjes, pas stërvitjes, të zemërohet nëse nuk fiton një seancë stërvitore, ky është Florian Wirtz. E di sa mund të sjellë në Premierligë, shpresoj jo kundër nesh, por gjatë gjithë vitit. I uroj më të mirën sepse e meriton”, tha ai.
Ndërkohë, Wirtzi dha paraqitjen më të mirë të tij në Premierligë këtë sezon në fitoren 2-0 të dielën ndaj West Ham United.