Përfaqësuesi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi gjatë konferencës së përditshme për shtyp se është e gabuar të thuhet se Vladimir Putin ka refuzuar planin amerikan që u diskutua dje mes presidentit rus dhe Steve Witkow.
“Bisedimet ishin thjesht një shkëmbim i parë i pikëpamjeve,” tha Peskov, duke shtuar se presidenti rus kishte pranuar disa propozime dhe kishte refuzuar disa të tjera, në atë që ai e quajti një proces të natyrshëm negociatash.
“Disa nga dispozitat e planit për Ukrainën u pranuan gjatë negociatave midis Putinit dhe Witkow, ndërsa disa të tjera u konsideruan të papranueshme. Ky është një proces në zhvillim,” tha përfaqësuesi i Kremlinit.
Peskov refuzoi të bënte komente të mëtejshme për bisedimet, duke shpjeguar se ato kishin më shumë gjasa të ishin produktive pa komentet publike.
“Rusia është e gatshme të takohet me zyrtarët amerikanë sa herë që është e nevojshme, për të gjetur një zgjidhje për luftën,” shtoi ai, duke thënë gjithashtu se Putini dhe Trump mund të komunikojnë me telefon në çdo moment.