Kur kanë mbetur më pak se 200 ditë nga nisja e Botërorit të parë me 48 ekipe, këtë të premte, në orën 18:00, FIFA do të hedhë shortin, në ‘John F. Kennedy Center for the Performing Arts’, në Washington DC, që do të përcaktojë ndarjen në grupe për fazën fimale.
Pikërisht aty, trajnerët dhe zyrtarët e përfaqësueseve të kualifikuara dhe atyre që janë ende në garë, do të zbulojnë kundërshtarët e fazës së grupeve në rrugën drejt finales së madhe që do të luhet më 19 korrik 2026.
Sipas procedurave, vendet pritëse Kanadaja, Meksika dhe SHBA-ja do të pozicionohen në vazon 1, bashkë me nëntë ekipet më të mira në renditjen e FIFA/Coca-Cola të datës 19 nëntor 2025.
Ndërkohë, dy vendet e turneut play-off të FIFA-s dhe katër vendet e play-off-it europian do të vendosen në vazon 4.
Pra, nëse Shqipëria apo Kosova do të kenë fatin e madh t’i fitojë dy ndeshjet play off, do të vendoset në vazon e katërt.
Vazo 1: Kanada, Meksikë, SHBA, Spanjë, Argjentinë, Francë, Angli, Brazil, Portugali, Holandë, Belgjikë, Gjermani
Vazo 2: Kroaci, Marok, Kolumbi, Uruguai, Zvicër, Japoni, Senegal, IR Iran, Kore e Jugut, Ekuador, Austri, Australi
Vazo 3: Norvegji, Panama, Egjipt, Algjeri, Skoci, Paraguai, Tunizi, Bregu i Fildishtë, Uzbekistan, Katar, Arabi Saudite, Afrikë e Jugut
Vazo 4: Jordani, Kepi i Gjelbër, Ganë, Curaçao, Haiti, Zelandë e Re, Play-Off Europian A, B, C, D, Play-Off FIFA 1 dhe 2
Shorti do të nisë me ekipet e vazos 1, të cilat do të plotësojnë grupet A deri në L, e më pas do të vijojë me vazot 2, 3 dhe 4.
Për tri vendet pritëse do të përdoren topa me ngjyra të ndryshme: Meksika do të vendoset automatikisht në A1, Kanadaja në B1 dhe SHBA-ja në D1, sipas kalendarit të publikuar më herët. Ndërkohë, ekipet e tjera të vazos 1 do të pozicionohen automatikisht në vendin 1 të grupit ku do të tërhiqen.
Për të ruajtur ekuilibrin konkurrues, FIFA ka përcaktuar se katër ekipet më të larta në renditje (Spanja, Argjentina, Franca dhe Anglia) do të shpërndahen në dy rrugë të ndryshme drejt gjysmëfinaleve, në mënyrë që të mos takohen para finales, nëse fitojnë grupet e tyre.
Sa u përket kufizimeve kontinentale, asnjë grup nuk do të ketë më shumë se një ekip nga e njëjta konfederatë, përveç UEFA-s, e cila mund të ketë deri në dy ekipe për grup.
Për vendet e play-off-it, kufizimet do të zbatohen duke marrë parasysh të tri ekipet e secilës rrugë play-off.
Ndërkohë, më 6 dhjetor do të publikohet edhe kalendari i përditësuar i ndeshjeve, ku do të përcaktohet për secilin takim stadiumi dhe ora e nisjes. Objektivi i FIFA-s është të sigurojë kushte optimale për ekipet dhe të mundësojë që tifozët në mbarë botën të shohin skuadrat e tyre në orare sa më të përshtatshme.
Shorti i finaleve të Botërorit 2026 pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme të gjithë ciklit kualifikues dhe një pikë kyçe në rrugëtimin drejt turneut më të madh në historinë e futbollit.