Kreu i Task-Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Botërorin 2026, thotë se administrata Trump po përgatit masa të gjera sigurie dhe mikpritjeje për të siguruar që turneu të jetë i sigurt dhe mikpritës. Andrew Giuliani u tha gazetarëve në qendrën e Shtypit të Jashtëm të Departamentit të Shtetit se siguria dhe mbrojtja mbeten në zemër të përgatitjeve.
“Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’i bërë këto ndeshje dhe këtë Kupë të Botës të jashtëzakonshme të sigurt dhe të suksesshme. Siguria dhe mikpritja mund të bashkëjetojnë dhe do të bashkëjetojnë. Kjo Kupë Bote do të jetë provë e shkëlqyer e kësaj”,-tha ai.
Ai shtoi se qëllimi është t’u ofrohet sa më shumë njerëzve një rrugë ligjore për të vizituar Shtetet e Bashkuara.
Sipas udhëzimeve të Departamentit të Shtetit, tifozët nga 42 vendet që nuk kanë viza, atyre që janë kualifikuar deri më tash, mund të aplikojnë përmes Sistemit Elektronik për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), ndërsa tifozët nga vendet e tjera duhet të kenë një vizë vizitori të vlefshme B1/B2.
”Ju lutemi ejani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ligjërisht. Nëse jeni një kërcënim potencial, nuk do të merrni aprovim.
Ne presim midis pesë dhe shtatë milionë vizitorë ndërkombëtarë. Ne kemi vendosur ekipe koordinimi federale në 11 qytetet pritëse.
Këto ekipe u japin autoriteteve lokale qasje direkte në ekspertizën dhe burimet federale, duke siguruar qasje të unifikuar dhe stabile në vend”.