Putini i shpalli luftë Evropës, Vuçiqi mund ta imitoi ndaj Ballkanit!

- Bota Sot

Putini i shpalli luftë Evropës, Vuçiqi mund ta imitoi ndaj Ballkanit!

Putini para se të takohej me të dërguarin amerikan Witkoff, mbi bisedimet Rusi Ukrainë, deklaroi se Evropa nuk është e interesuar për paqe (pasi planin e paqes nga 28 pika, e kishin reduktuar në 19) dhe meqë po i fryn zjarrit të luftës, Rusia është e gatshme për luftë edhe me Evropën.

Ky kërcënim i Putinit u transmetua dhe u përsërit në të gjitha mediat ndërkombëtare, duke ia përkujtuar se ai tashmë një kohë të gjatë është duke udhëhequr luftë ndaj Evropës, me dronë mbi aeroporte, baza ushtarake dhe koncerne energjetike, si dhe sulmet kibernetetike. Lind pyetja, derisa Putini i shpalli luftë Evropës, a do ti shpall edhe Vuçiqi luftë Ballkanit, kur dihet se ky është një imitues i Rusisë dhe Putinit.

 Kjo deklaratë e Putinit në perëndim po interpretohet se ai ndodhet në vështirësi të mëdha, ndoshta më pak nga sanksionet, po sidomos nga humbjet, kohët e fundit që po ua shkakton Ukraina, me sulme ndaj burimeve të naftës, brenda territorit të thellë në tërë Rusinë.

Sipas statistikave që po jepen në perëndim, të ardhurat nga burimet e naftës dukshëm janë zvogëluar, çka do të thotë se mundësia e financimit të luftës, po i sjell probleme Putinit. Ky mund të ishte një nga shkaktarët kryesor, në pranimin e bisedimeve për arritjen e paqes.

Në EU po kritikohet haptas qasja e bisedimeve amerikane me Rusinë, mbi Ukrainën. Në thelb po ceket se këto bisedime më tepër po zhvillohen në planin bilateral të biznesit mes SHBA dhe Rusisë, se sa në planin e arritjes së paqes mbi Ukrainën. SHBA në krye me presidentin Trump, janë të përqendruara që Rusisë t´i afrojnë bashkëpunim ekonomik në Arktik dhe investime në eksploatimin e xeheve të rralla, me kusht që të ndërpritet konflikti.

 Ky propozim nga presidenti Trump, po bëhet pa i kushtuar rëndësi në çfarë shkalle do të humb Ukraina, apo me çfarë kushtesh do të përfundonte konflikti. Kjo bindje po vërtetohet edhe nga zbulimi i bisedës nga i deleguari i tij Witkoff duke u dhënë këshilla rusëve se si të sillen ndaj presidentit Trump, që të kenë sukses në bisedime. Witkoff në perëndim po paraqitet se është me prejardhje ruse dhe se është amator në politikë.

Të vetmit të cilët po brengosen në këto bisedime, përpos Ukrainës janë EU duke e ditur se një fitore eventuale e Rusisë, do të thoshte një rrezik serioz për vetë sigurinë e Evropës, meqë tash i kanë kuptuar planet e Putinit, i cili nuk do të ndalej me kaq.

 Çka mund të nxirret nga këto bisedime mbi Kosovën? Rreziku më i madh për Kosovën do të ishte, kur do të vinte çështja e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Ekziston rreziku se Presidenti Trump, prioritet do ti jepte biznesit, dhe si do të dukej ajo marrëveshje, nuk do të çonte shumë peshë. Kryesore konflikti do të avullohej dhe do të fillonte një epokë e re. Dhëndri i tij Kushner, tashmë i ka bërë përgatitjet për ta filluar biznesin e tij në Beograd, pikërisht mbi hotelin, të cilin e kishte bombarduar NATO, në konfliktin Kosovë - Serbi.

 Pengesa më e madhe momentalisht është Kurti, i cili nuk do të pranonte çfarëdo marrëveshje, e cila do të lidhej me humbjen e Veriut të Kosovës. Këtu lidhej edhe bllokada, e cila ndodhi në parlamentin e Kosovës, po edhe me formimi i qeverisë.

 Në këtë pikë do të jetë edhe lufta kryesore në zgjedhjet e dhjetorit, si mundësi për largimin e Kurtit, i cili llogaritet si pengesa kryesore për planin e „paqes”. Kushdo që do të vinte nga opozita, do ta pranonte këtë plan, duke u thirr në bashkëpunimin me aleatët.

 Në këtë rast Kosova nuk do ta kishte as përkrahjen e Evropës, pasi nga Serbia ajo nuk sheh kurrfarë rreziku, sikurse e parandien rrezikun nga Rusia. Me Kurtin proceset do të shtyheshin deri në rënien e Vuçiqit dhe mundësinë e demokratizimit të Sebisë, e cila mundësisht do të tërhiqej nga planet imperialiste. Ose të votohej opozita e cila menjëherë do ta pranonte Asociacionin, i cili do të thoshte paraprakisht, humbja e veriut.



Lexoni të gjitha në Bota Sot