Franco Foda optimist para shortit të Kupës së Botës

- Bota Sot

Franco Foda optimist para shortit të Kupës së Botës

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka dhënë një intervistë të gjatë për Sky Sports të enjten, teksa ndodhej përballë Shtëpisë së Bardhë në Washington.

Pikërisht aty, të premten në orën 18:00, do të mbahet ceremonia zyrtare e shortit për Kupën e Botës 2026, që do të organizohet nga SHBA, Meksika dhe Kanadaja.

Foda u shpreh i entuziazmuar për pjesëmarrjen në këtë event, duke theksuar se Kosova, ashtu si të gjitha skuadrat e tjera në fazën play-off, vazhdon të ketë shanse reale për t’u kualifikuar për herë të parë në Botëror.

Ai pranoi se ndjesia e pjesëmarrjes në short është e veçantë, duke të krijuar përshtypjen se tashmë je pjesë e turneut, megjithëse Kosova duhet të përballojë edhe dy ndeshje të vështira për të arritur objektivin.

Më 26 mars, Kosova do të udhëtojë në Bratislavë për të luajtur gjysmëfinalen e play-offit kundër Sllovakisë. Fituesi i këtij dueli do të përballet më 31 mars me Turqinë ose Rumaninë, këtë herë në stadiumin e Kosovës.

Dy fitore do të mjaftonin për ta bërë realitet ëndrrën historike të “Dardanëve” për pjesëmarrje në Kupën e Botës.

“Kur merr pjesë në short, ke ndjesinë sikur je tashmë në Kupën e Botës, edhe pse zyrtarisht nuk jemi ende. Na presin dy ndeshje shumë të rëndësishme, por a mund t’i fitojmë? Po, mundemi. Nëse arrijmë të kualifikohemi, do të ishte e jashtëzakonshme”, deklaroi Foda.

Trajneri gjerman do të jetë i pranishëm në ceremoninë e shortit së bashku me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot