Shqipëria në vazon 4, të gjitha detajet dhe procedura e shortit të sotëm

- Bota Sot

Shqipëria në vazon 4, të gjitha detajet dhe procedura e shortit të sotëm

Botërori 2026, i pari në histori me 48 skuadra, do të mësojë sot përbërjen e grupeve, pas hedhjes së shortit në Washington. Kompeticioni do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik.

Shqipëria shpreson të jetë në turneun madhor për herë të parë në histori, por më parë duhet të kalojë dy ndeshjet e play-off-it në muajin mars, fillimisht Poloninë në Varshëve dhe më pas finalen me fituesin e çiftit Suedi-Ukrainë.

Në shortin e sotëm, kuqezinjtë do të jenë në vazon 4. Në play-off merr pjesë edhe Kosova, që sfidon Sllovakinë në gjysmëfinale dhe pastaj Turqinë ose Rumaninë në finale.

Botërori i ardhshëm do të zgjerohet në 48 skuadra. Deri tani janë 42 kombëtare që e kanë siguruar kualifikimin, ndërsa 6 të tjerat do të përcaktohen nga play-off-et e marsit.

Në shortin e sotëm do të përfshihen edhe këto 6 skuadra, që do të shënohen me emrin “kombëtaret X”.

Detajet e shortit

Kombëtaret pjesëmarrëse do të ndahen në 12 grupe, secili me nga 4 skuadra. FIFA ka zyrtarizuar 4 vazot me nga 12 kombëtare, ku Shqipëria, nëse bën mrekullinë, bën pjesë në vazon 4. Kalendari i ndeshjeve, me stadiume dhe orare të përcaktuara, do të publikohet ditën pas shortit, më 6 dhjetor.

Shorti, i strukturuar si një tabelë e një turneu tenisi, nis me skuadrat e vazos së parë. Vendet organizatore të Botërorit e kanë të përcaktuar pozicionin e tyre: Meksika në Grupin A, Kanadaja në Grupin B dhe SHBA-të në Grupin D. Skuadrat e tjera të vazos së parë do të shpërndahen në grupet e tjera. Kombëtaret me renditjen më të mirë, për shembull Spanja dhe Argjentina, do të vendosen të ndara në rrugëtimin e tyre në tabelë. I njëjti koncept aplikohet edhe për skuadrën e tretë dhe të katërt, për shembull Franca dhe Anglia, e me radhë.

Kjo metodë ka qëllimin të sigurojë një shpërndarje sa më të ekuilibruar, në mënyrë që skuadrat më të forta të mos ndeshen mes tyre para finales, nëse do të arrijnë të fitojnë grupet e tyre. Për skuadrat e vazove 2, 3 dhe 4, pozicioni specifik do të saktësohet nga një skemë e përcaktuar, e bazuar si nga vazoja ku janë vendosur, ashtu edhe nga grupi ku do të shortohen.

Skuadrat e play-off-it

Shqipëria dhe skuadrat e tjera që marrin pjesë në play-off, nëse në fund fitojnë një biletë për në Botërorin 2026, do të bëjnë pjesë në vazon 4. Në këtë vazo bëjnë pjesë edhe Jordania, Kepi i Gjelbër, Kuraçao, Gana, Haiti dhe Zelanda e Re. Në short skuadrat e play-off-it do të shënohen me një X.

Sfidat e play-off-it

A (Itali-Irlandë e Veriut/Uells-Bosnjë Hercegovinë)

B (Ukrainë-Suedi/Poloni-SHQIPËRI)

C (Turqi-Rumani/Sllovaki-Kosovë)

D (Danimarkë-Maqedoni e Veriut/Republika Çeke-Irlandë)

1 (Kaledonia e Re/Xhamajkë/Republika Demokratike e Kongos)

2 (Bolivi/Surinam/Irak)



Lexoni të gjitha në Bota Sot