Trendi i portierëve të huaj

- Bota Sot

Trendi i portierëve të huaj

Për një skuadër kompetitive duhet medoemos një portier me kualitet.

Është një nga rregullat bazike në futboll dhe për këtë sezon klubet e Abissnet Superiores kanë shpenzuar më shumë për një “gardian” cilësor.

Ka një trend në fakt për portierë të huaj në kampionatin elitar të futbollit shqiptar. Janë 4 klube që ua kanë besuar “çelësat” e portës të huajve: Elbasani, Vllaznia, Bylisi dhe Flamurtari.

Ndoshta është zgjidhja më e mirë, po të kemi parasysh faktin se dy skuadrat kryesuese, Elbasani dhe Vllaznia, kanë titullarë portierë të huaj.

Martin Janaçek, portieri çek i Elbasanit është ai që ka pësuar më pak gola, 7. Sigurisht, mund të jetë meritë e gjithë skuadrës, por Janaçek është pa dyshim një nga pikat më të forta të skuadrës së Gvozdenoviç.

Leon Maurice Pohls është gjermani 28-vjeçar që mbron portën e Vllaznisë këtë sezon. Kur ai mbërriti në skuadër, pati skepticizëm nga opinioni shkodran, aq më tepër që Vllaznia ka prodhuar gjithmonë portierë të mirë, por Pohls gradualisht ka bindur me paraqitjet e tij në fushë.

Jeremy Vachoux mbron portën e Bylisit. “Gardiani” francez mbërriti gjithashtu në merkaton e verës në Superiore dhe deri tani ka treguar stabilitet në portën e ballshiotëve, një nga klubet që preferojnë më shumë lojtarët e huaj.

Portieri i 4-t i huaj në Abissnet Superiore është Igor Aleksovski, 30-vjeçari nga Maqedonia e Veriut.

Paraqitja e tij ka qenë e kushtëzuar nga ajo e gjithë skuadrës, që ka vuajtur në këtë pjesë të parë të sezonit, megjithatë Aleksovski nuk e ka diskutuar asnjëherë vendin e titullarit te vlonjatët.



Lexoni të gjitha në Bota Sot