Ministri britanik: Stimuj për largim vullnetar të emigrantëve, përfshirë 700 familje shqiptare

- Bota Sot

Ministri britanik: Stimuj për largim vullnetar të emigrantëve, përfshirë 700 familje shqiptare

Kriminelët e huaj dhe azilkërkuesit e refuzuar nuk do të marrin më shumë se 10,000 paund për t’u kthyer në shtëpi, tha sekretarja britanike e Shtetit për Departamentin e Brendshëm, Shabana Mahmood, sipas “Daily Express”.

Mahmood kërkon të rrisë shumën e dhënë për shkelësit e ligjit të emigracionit, të dënuarit e huaj dhe për personat që u është refuzuar strehimi në Britaninë e Madhe – për t’i inkurajuar ata të largohen.

Ministri i Sigurisë Kufitare, Alex Norris tha se pagesat – aktualisht deri në 3,000 paund – ishin një shumë e madhe – për shkak të kostove të akomodimit të të ardhurve të paligjshëm.

Ai këmbënguli se ndihmat nuk do të kalonin 10,000 paund – megjithëse refuzoi të përcaktonte një shifër të saktë.

Norris zbuloi, për herë të parë, se Ministria e Brendshme do të deportonte fëmijët e lindur në Britaninë e Madhe nëse prindërit e tyre ishin caktuar për t’u larguar.

Deklarata e tij erdhi përpara mbërritjes së emigrantëve të parë në Qendrën e Emigracionit “Campsfield”, e cila është rihapur si pjesë e përpjekjejeve për të rritur deportimet.

“Për momentin, lloji i regjimit për të cilin po flasim është rreth 3,000 paud”, tha Norris në Qendrën e Largimit të Emigracionit në Campsfield, të cilën Ministria e Brendshme e rihapi ndërsa përpiqet të rrisë deportimet.

“Po shqyrtojmë një program pilot të mundshëm për ta rritur këtë”, shtoi ai.

“Realiteti është, se kjo është një shumë e madhe sepse – nëse dikush ka nevojë të qëndrojë në hotel për një periudhë të gjatë kohore – është shumë e kushtueshme për taksapaguesin”, theksoi ai.

“Ofrimi i stimujve për kthimet vullnetare u shërben taksapaguesve, e bën këtë proces më të lehtë”, tha Norris.

“Nëse ka mënyra për t’u siguruar që kjo të ndodhë më shpesh, atëherë kjo është ajo që po shqyrtojmë nga afër”, shtoi ai.

I pyetur nëse pagesat mund të arrinin në 10,000 paund për emigrant, Norris këmbënguli se nuk mund ta miratonte këtë shifër.

Çdo azilkërkues kushton, mesatarisht, 30,000 paund në vit për akomodim, ushqim, veshmbathje dhe pagesa emergjente në para të gatshme.

Familjet emigrante, kërkesat e të cilave për azil janë refuzuar, do të deportohen nëse refuzojnë stimujt, në para të gatshme.

Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood do të urdhërojë deportimin me forcë të familjeve që refuzojnë të marrin stimuj më të mëdhenj, sipas Ministrisë së Brendshme.

“Aktualisht, ka një numër të konsiderueshëm familjesh që do të deportohen. Megjithatë, kjo nuk ka qenë pjesë e qasjes kryesore të Ministrisë së Brendshme britanike, që do të thotë se jemi në një situatë ku kemi 700 familje shqiptare që janë azilkërkues të refuzuar, nga një vend që është nënshkrues i KEDNJ-së “Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut” dhe nuk po largohen”, tha Norris.

“Në fund të fundit, do të jetë rasti i të gjithëve në bazë të meritave sipas ligjit të emigracionit, por për shkak të rrethanave dhe në këto raste, njerëzit do të largohen”, tha Norris i pyetur nëse kjo përfshin fëmijët që lindin në Britaninë e Madhe.

Partia Laburiste këmbëngul se 50 000 kriminelë të huaj, azilkërkues të refuzuar dhe shkelës të ligjit për emigracionin janë larguar që kur qeveria e kryeministrit britanik, Keir Starmer mori detyrën.



Lexoni të gjitha në Bota Sot