Qëndrim i qartë se do të ishte “e papranueshme” për Ukrainën të “thjesht dorëzonte territore” në çdo marrëveshje paqeje me Rusinë, u shpreh ditën e sotme kreu i forcave të armatosura ukrainase.
Gjenerali Oleksandr Syrskyi deklaroi për Sky Neës se një “paqes e drejtë” mund të arrihet vetëm nëse ndalen luftimet përgjatë vijave të sotme të frontit dhe më pas të zhvillohen negociata.
Ai më tej theksoi mungesën e plotë të besimit ndaj Kremlinit dhe pretendimeve se dëshiron t’i japë fund luftës, duke akuzuar Vladimir Putinin se po e përdor përpjekjen e Donald Trump për të ndërmjetësuar bisedimet e paqes si një “mbulim”, ndërkohë që trupat ruse po përpiqen të marrin më shumë territore me forcë në fushëbetejë.
Kjo ndërhyrje e rrallë ofron deri tani treguesin më të qartë për vijat e kuqe të Kievit, ndërsa SHBA po përpiqet të negociojë një zgjidhje që, sipas një drafti fillestar, do t’i kërkonte Kievit t’i dorëzonte Moskës të gjithë rajonin e Donbasit në lindje të vendit.
Presidenti Volodymyr Zelensky, i mbështetur nga Mbretëria e Bashkuar dhe aleatë të tjerë evropianë, po përpiqet të forcojë pozicionin e Ukrainës në frontin diplomatik.
Megjithatë, presidenti Putin deklaroi se Rusia ose do ta pushtonte ushtarakisht Donbasin, ose trupat ukrainase do të duhet të tërhiqen.
Syrskyi la të kuptohet se ushtarët e vendit të tij do të vazhdojnë të luftojnë nëse diplomacia dështon, dhe paralajmëroi se në rrezik është e ardhmja e të gjithë Evropës.
“Detyra jonë kryesore është të mbrojmë tokën tonë, vendin tonë dhe popullin tonë,” tha ai në një intervistë ekskluzive në bodrumin e një ndërtese në Ukrainën lindore.
“Sigurisht, për ne është e papranueshme të dorëzojmë thjesht territore. Ç’kuptim ka kjo – të dorëzojmë tokën tonë? Pikërisht për këtë po luftojmë: që të mos heqim dorë nga territori ynë,” theksoi ai.