Von der Leyen dhe Merz: Rreziqet mbi asetet ruse duhet të ndahen nga të gjithë vendet anëtare të BE

- Bota Sot

Von der Leyen dhe Merz: Rreziqet mbi asetet ruse duhet të ndahen nga të gjithë vendet anëtare të BE

Kancelari është në gatishmëri të lartë. Plani i propozuar nga Friedrich Merz për të përdorur asetet ruse të bllokuara në Europë për të financuar një kredi masive për Ukrainën vazhdon të përplaset me murin e palëkundur të Belgjikës. Dhe kancelari shtyu një udhëtim në Norvegji për t’u takuar mbrëmë në darkë në Bruksel me kryeministrin Bart De Wever.

Por homologu i tij belg përsëriti edhe dje se “para se të liroj miliardat e Putinit dua të shoh një kontratë në të cilën të gjitha shtetet anëtare angazhohen të marrin përsipër përgjegjësinë për t’i garantuar Belgjikës likuiditetin e nevojshëm”. Frika e De Wever është se ankimet kundër bllokimit të aseteve, të bëra nga rusët, mund të kenë sukses ose që një marrëveshje e mundshme paqeje të imponojë shkrirjen e pakushtëzuar të tyre.

Në përfundim të takimit kokë më kokë, Merz raportoi se kishte pasur “një shkëmbim shumë konstruktiv” me De Wever: “Fakti që Belgjika është veçanërisht e goditur nga çështja e vënies në përdorim të aseteve ruse të ngrira është i padiskutueshëm dhe duhet trajtuar në mënyrën më gjithëpërfshirëse të mundur, në mënyrë të tillë që të gjitha vendet europiane të ndajnë të njëjtin barrë”.

Para takimit me De Wever, Merz u takua me presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Por kancelari është i vendosur, bëri të ditur para vizitës së beftë në Bruksel, të bindë belgun se “rruga që kemi zgjedhur është e duhura”. Të tre do të vazhdojnë të takohen, por është një garë kundër kohës: çështja do të diskutohet më 18 dhjetor në Këshillin Evropian dhe pa një marrëveshje Ukraina rrezikon të mbetet pa një financim europian.

Megjithatë shumë vende po fillojnë pas kuintave të kenë dyshime mbi barrën e garantimit të aseteve prej 210 miliardë eurosh (185 prej të cilave mbahen nga Euroclear belg, ndërsa 25 të tjerë nga institucione financiare të shpërndara në pjesën tjetër të BE-së).

Dhe në fakt presidentja e Komisionit Europian, pikërisht për t’u ardhur në ndihmë rezistencave belge, propozoi ditët e fundit një zgjidhje të dytë: të nxirren 90 miliardë gjatë dy viteve të ardhshme përmes emetimit të bonove të garantuara nga Buxheti europian ose nga MES. Por po atë mbrëmje Merz i shkroi një letër organit referues të konservatorëve gjermanë, FAZ-it, duke ripohuar se zgjidhja e një kredie për Ukrainën, e mbuluar nga asetet e ngrira në Europë, “është e domosdoshme”.

Kancelari gjerman gjithashtu saktësoi se nuk i pranon kërkesat amerikane për të transferuar të ardhurat e aseteve në Shtetet e Bashkuara të dala nga tashmë plani famëkeq "Witkoff”. “Ato para duhet t’i destinohen Ukrainës dhe duhet ta ndihmojnë Ukrainën”. Një pozicion që Ursula von der Leyen ia ka komunikuar tashmë Uashingtonit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot