Ministri gjerman reagon pas zbardhjes së Strategjisë amerikane të Sigurisë për Evropën

- Bota Sot

Ministri gjerman reagon pas zbardhjes së Strategjisë amerikane të Sigurisë për Evropën

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Evropa, brenda dy dekadave të ardhshme, do përballet me një “fshirje civilizuese” si rezultat i migracionit dhe integrimit në Bashkimit Evropian.

Në dokumentin e publikuar të Strategjisë së Sigurisë, SHBA-ja thekson se do të “nxisë rezistencën” në kontinent ndaj “trajektores aktuale evropiane”.

Duke reaguar ndaj publikimit të dokumentit, ministri gjerman i punëve të Jashtme, Johann Wadephul, deklaroi se amerikanët mbesin aleat kyç i sigurisë, por se “çështjet e lirisë së shprehjes apo të organizimit të shoqërive tona të lira” nuk hyjnë në këtë kategori.

“Ne konsiderojmë se jemi plotësisht të aftë të diskutojmë për këto çështje vetë në të ardhmen dhe nuk kemi nevojë për këshilla të jashtme”, u shpreh ai.Megjithatë, ai tha se tani do ta “analizonte në detaje strategjinë e re të sigurisë së SHBA-së”, raporton dw.

Cili është vizioni i Trumpit për botën?

Ndryshe, dokumenti prej 33 faqesh, i cili përmban hyrjen e nënshkruar nga Trumpi, thuhet se Evropa është në rënie ekonomike, por se “problemet e saj të vërteta janë edhe më të thella”. Ndër to theksohen “aktivitetet e BE-së që minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat migratore që po transformojnë kontinentin, censurimi i lirisë së fjalës dhe shtypja e opozitës politike… si dhe humbja e identiteteve kombëtare”.

Në tekst shtohet se “nëse trendet aktuale vazhdojnë, kontinenti do të jetë i panjohshëm për 20 vjet ose edhe më pak”.

Për këtë arsye, politika amerikane duhet të përfshijë “nxitjen e rezistencës kundër trajektores aktuale evropiane brenda kombeve të Evropës”.

Dokumenti thekson qartë rreshtimin e administratës së Trumpit me partitë evropiane nacionaliste të ekstremit të djathtë, “ndikimi në rritje i të cilave… është arsye për optimizëm të madh”. Si shembull i lidhjeve të ngushta përmendet vizita e një zyrtari të lartë të partisë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD) në Shtëpinë e Bardhë në muajin shtator, për takime me zyrtarë të lartë amerikanë. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot