Fati nuk është me kuqezinjtë

- Bota Sot

Fati nuk është me kuqezinjtë

Të paktën mund të jemi të qetë sepse po luajnë. Disa nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares shqiptare hynë në fushë që nga minuta e parë këtë fundjavë, edhe pse nuk është se fati ishte me ta.

Mirlind Daku u kthye nga dëmtimi, ashtu siç paralajmëronin mediat nga Tatarstani, por doli i humbur nga sfida e Premier Ligës ruse, Rostov-Rubin, që përfundoi 2-0 për vendasit.

Në një derbi të jugut, shqiptari nuk pati shumë mundësi, edhe pse arriti ta fitonte një penallti, të cilën çuditërisht nuk e gjuajti vetë. Atë e mori përsipër kapiteni Vujaçiç, ndërsa Daku si shpesh herë e mori një të verdhë, edhe pse është sulmues.

I humbur edhe Armando Broja në Premier Ligën kryesore, atë të Anglisë. Sulmuesi I Shqipërisë luajti për herë të parë titullar tek Bërnli këtë sezon të kampionatit dhe u përpoq jo pak.

Trajneri Parker e mbajti në fushë 86 minuta dhe kjo tregon diçka, e shpresohet që talenti kuqezi të ketë më shumë mundësi në të ardhmen.

Nuk ishte fundjavë e mirë as për Berat Gjimshitin, i cili pësoi një humbje të papritur në fushën e Veronës.

Atalanta ishte favorite në sfidën e Serisë A kundër një rivali që nuk kishte fituar asnjë ndeshje deri tani, por gjithçka shkoi mbrapsht. Veronezët triumfuan me meritë 3-1, ndërsa kapiteni i kombëtares ishte titullar si gjithmonë dhe e mbylli ndeshjen në terren.

Mëkat, ndërkaq, për Nedim Bajramin.

Mesfushori I kombëtares ishte për herë të tretë radhazi titullar në Premier Ligën skoceze për Gllazgou Rejnxhërsin, por këtë herë ndeshja e tij zgjati pak.

Pasi shënoi javën e kaluar duke siguruar barazimin 2-2 në stadiumin e Dandi Junajtidit, ylli kuqezi pësoi dëmtim dhe u zëvendësua në 21’. Shpresa është që të mos ketë asgjë serioze.



Lexoni të gjitha në Bota Sot