Kampanja katastrofike e Liverpoolit në Premierligë u përkeqësua edhe më shumë të shtunën pas barazimit dramatik 3-3 me Leeds United.
Sulmuesi i tij, Mohamed Salah, shpërtheu, duke zbuluar se marrëdhënia e tij me trajnerin e “Reds”, Arne Slot, ishte prishur.
Ai bëri deklaratën tronditëse pasi u la në stol për tri ndeshje radhazi.
Ylli egjiptian beson se është ‘hedhur nën autobus’ nga kampionët e Premierligës.
“E kam thënë shumë herë më parë se kam pasur një marrëdhënie të mirë me trajnerin, dhe papritur nuk kemi më asnjë marrëdhënie,” u tha ai gazetarëve sportivë.
“Nuk e di pse, por mua më duket sikur dikush nuk më do në klub.
Më duket sikur klubi më ka hedhur nën autobus.
Kështu po ndihem.
Mendoj se është shumë e qartë që dikush ka dashur që unë të marr gjithë fajin. Këtë klub, unë gjithmonë do ta mbështes. Edhe fëmijët e mi gjithmonë do ta mbështesin.
E dua klubin shumë dhe gjithmonë do ta dua. Situata nuk është e pranueshme për mua, për të qenë i sinqertë. Nuk e kuptoj.
Është sikur po më hedhin gjithnjë e më shumë nën autobus. Nuk mendoj se jam unë problemi. Kam bërë shumë për këtë klub.
Nuk kam pse të luftoj çdo ditë për pozicionin tim, sepse e kam fituar atë. Nuk jam më i madh se askush, por e kam fituar pozicionin tim. Është futboll. Është si është”, shtoi ai.
Pas këtyre zbulimeve të jashtëzakonshme, “BBC Sport” raportoi se Liverpooli është i hapur për të ardhmen e Salah në klub, me disa skuadra në Arabinë Saudite të interesuara për ta transferuar.
Anësori konfirmoi se kishte folur me klube të Saudi Pro League para se të nënshkruante kontratën e re dhe zbuloi se Arabia Saudite do të kishte qenë destinacioni i tij nëse nuk do të kishte vazhduar qëndrimin në “Anfield”.
Al-Hilal, skuadra aktuale e ish-shokut të tij Darwin Núñez, raportohet se është favoritja për të nënshkruar me Salah, megjithëse nuk besohet se kanë nisur ende bisedimet.
Salah ka qenë një nga lojtarët më të besueshëm të Liverpoolit që nga ardhja e tij nga Roma në vitin 2017, duke shënuar 250 gola në 420 paraqitje me klubin.
Megjithatë, këtë sezon ai ka hasur vështirësi për të gjetur formën e tij më të mirë, duke shënuar vetëm katër gola dhe dhënë dy asistime në 13 ndeshje të Premierligës.
33-vjeçari pritet të humbasë një pjesë të madhe të sezonit 2025/26 ndërsa përfaqëson Egjiptin në Kupën e Kombeve të Afrikës, e cila është planifikuar të nisë më 15 dhjetor. Tensionet kanë ardhur në momentin më të keq për Liverpoolin dhe Salah.
Sulmuesi nënshkroi një kontratë të re dyvjeçare për të qëndruar në “Anfield” në prill.