Milani fiton me përmbysje

- Bota Sot

Milani fiton me përmbysje

Milani i Massimiliano Allegrit e ka mbyllur javën e 14-të të Serie A me një fitore tejet të çmuar 3:2 ndaj Torinos, një sukses që erdhi pas një përmbysjeje spektakolare.

Kuqezinjtë u gjendën në disavantazh, por reaguan me karakter dhe vendosmëri, duke marrë tri pikë të arta në një transfertë të vështirë.

Fitorja i lejon Milanit të ruajë kreun e renditjes krah Napolit, duke e mbajtur ritmin e titullit në një kampionat që po bëhet gjithnjë e më i ashpër.

Përmbysja ndaj Torinos konfirmoi edhe një herë forcën e grupit, zgjedhjet taktike të Allegrit dhe aftësinë e skuadrës për të mos hequr dorë deri në minutën e fundit.

Fillim i nxehtë i ndeshjes Torino-Milan, në kuadër të javës së 14-të të Serisë A.

Torino mori avantazhin në minutën e 10-të pas një penalltie të dhënë nga VAR. Nikola Vlasic shfrytëzoi saktësisht rastin dhe dërgoi topin në cepin e poshtëm të djathtë të portës, duke mposhtur portierin Mike Maignan.

Vetëm shtatë minuta më vonë, Duvan Zapata thelloi avantazhin me një kontroll të bukur të topit dhe një gjuajtje të fuqishme brenda zonës, duke e çuar rezultatin në 2-0.

Milan reagoi shpejt dhe në minutën e 24-t Adrien Rabiot shënoi golin që ngushtoi diferencën në 2-1.

Përveç golave, momenti i tensionuar për Milanin ishte kartoni i verdhë i dhënë portierit Maignan në minutën e 19-të, pas diskutimeve të forta me gjyqtarin. 

Christian Pulisic barazoi rezultatin në minutën e 67-të me një realizim fantastik, duke e dërguar ndeshjen në shifrat 2-2.

Ylli amerikan i Milanit përfitoi nga një krosim perfekt në zonë, e mori topin me klas dhe goditi ulët drejt këndit të poshtëm të majtë, pa i lënë asnjë shans portierit. Një finalizim i pastër, teknik dhe i pamëshirshëm, një gol që vërtet nuk gjen mjaftueshëm superlativa për ta përshkruar.

Pulisic, vetëm 10 minuta pas golit të barazimit, realizoi një tjetër ‘perlë’, duke përmbysur rezultatin në favor të Milanit 2-3.



Lexoni të gjitha në Bota Sot