Maresca hap derën për rikthimin e Sterling

- Bota Sot

Maresca hap derën për rikthimin e Sterling

Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, e ka lënë të hapur mundësinë që Raheem Sterling të rikthehet në skuadër, pavarësisht se anglezit iu sugjerua më herët të gjente një klub të ri dhe nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon.

Sulmuesi Liam Delap pësoi një lëndim në shpatull fundjavën e kaluar, i cili pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth gjashtë javë. Kjo mungesë ka detyruar Marescën të rishqyrtojë opsionet sulmuese, duke përfshirë edhe rikthimin e Sterling në rotacion.

“Liam, për fat të mirë, nuk ka ndonjë frakturë. Kjo është një lajm i mirë për ne. Për sa kohë do të mungojë, ende nuk e dimë”, tha Maresca para ndeshjes kundër Atalanës në Ligën e Kampionëve.

“Sterling është lojtar i Chelseat, gjithçka mund të ndodhë”, theksoi ai.

Trajneri italian shtoi se asgjë nuk është përfundimtare për të ardhmen e Sterling.

“Sa i përket Raheem, është njësoj si me Axel (Disasi) – ata janë lojtarë të Chelseat. Jemi në dhjetor, janari po afron, kështu që gjithçka mund të ndodhë.

Do të shohim”, pohoi Maresca.

Ai pranoi se lëndimi i Delap është një goditje për skuadrën, duke theksuar rëndësinë e minutave të lojës për zhvillimin e tij.

“Liam është shumë i rëndësishëm për ne sepse ka nevojë të luajë për t’u bërë më i mirë. Ishte në rritje pas rikthimit, por tani fatkeqësisht u dëmtua përsëri. Ne do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë”, përfundoi tekniku italian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot