Skuadra e futbollit Drenica e Skenderajt nuk ka vonuar shumë duke e emëruar pasardhësin e Bylbyl Sokolit.
Në vend të tij është emëruar trajneri i ri Thomas Brdariç
“Sot, FC Drenica shkruan një faqe të re në historinë e futbollit tonë. Me krenari ju njoftojmë se kemi nënshkruar kontratë afatgjate me trajnerin ndërkombëtar Thomas Brdariç, një emër i madh i futbollit gjerman, ish-lojtar i Bundesligës dhe trajner i suksesshëm në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, ku ai ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.
Me përvojën e tij dhe me vizionin tonë të ri, FC Drenica sot hedh një hap të guximshëm drejt futbollit modern evropian. Me ardhjen e tij, ne e kemi afruar edhe më shumë Gjermaninë në Drenicë - një standard i ri profesional, një mentalitet i ri fitues dhe një energji e re për të ardhmen e klubit.
Ky ndryshim historik bëhet nën udhëheqjen e: Dr. Thomas Wüstefeld - President i FC Drenica
Faton Seferi - Nënkryetar i FC Drenica - dy vizionarë që, së bashku me trajnerin Brdari Brdariç, po ndërtojnë një identitet të ri:
Drenica Blut - Drenica Geist.
Një bashkim i shpirtit drenicas me profesionalizmin gjerman.
Drenica ka dhënë shumë për Kosovën, për Shqipërinë dhe për gjithë kombin.
Drenica ka qenë gjithmonë zemra e qëndresës, e krenarisë dhe e sakrificës.
Drenica ka kontribuar, ka dhënë, ka mbrojtur e ka qëndruar gjithmonë për vendin, për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarinë.
Prandaj, Drenica e meriton kujdesin, përkrahjen dhe përkushtimin maksimal - nga investitorët e rinj, nga institucionet shtetërore dhe nga të gjithë ne si komb.
FC Drenica nuk është vetëm një klub futbolli.
Ne nuk duam thjesht një ekip që fiton ndeshje.
Ne duam të ndërtojmë një Akademi moderne, të bëhemi qendër zhvillimi sportiv për gjeneratat, të krijojmë një model shembullor për gjithë rajonin.
Synimet tona janë të mëdha - për sot dhe për të ardhmen
Po, ne duam rezultate që sot.
Por mbi të gjitha, duam që këto rezultate të ndihen në: brezat e rinj, shkollën tonë të futbollit,
akademinë e klubit, zhvillimin sportiv dhe kulturor të të gjithë rajonit.
Ne duam që të rinjtë e Drenicës të rriten me kushte, me standarde, me trajnerë profesionistë dhe të kenë një derë të hapur drejt suksesit në futboll dhe në jetë.
FC Drenica synon të bëhet motor i zhvillimit të rajonit, qendër modernizimi dhe shembull për gjithë Kosovën”, thuhet mes të tjera nga FC Drenica.