Jose Mourinho, trajner i Benfica-s, doli në konferencë për shtypin me tonin e tij karakteristik në prag të sfidës delikate të Champions League kundër Napolit. Pyetjet mbi mungesat e skuadrës italiane nuk e bindën aspak portugezin, i cili reagoi me ironi.
“Mungesat te Napoli? Mos më bëni të qesh,” deklaroi ai. “Nëse nuk luan De Bruyne, luan McTominay. Shikon formacionin, shikon stolin dhe i harron mungesat. Unë kam mungesa të rëndësishme, por nuk dua të ankohem.”
Mourinho theksoi se njohja e futbollit italian nuk përbën domosdoshmërisht përparësi.
“Fakti që i njoh mirë nuk do të thotë se vështirësitë janë më të vogla. Napoli është shumë i fortë, ka fituar dy tituj brenda një periudhe shumë të shkurtër.
Tani luajnë ndryshe krahasuar me fillimin e sezonit dhe, për fat të keq, mua më pëlqen shumë më tepër mënyra se si luajnë tani.”
Tekniku portugez foli edhe për Antonio Conte-n, duke e lidhur menjëherë me cilësitë e Napolit aktual.
“Të flasësh për Conten do të thotë të flasësh për Napolin.
Skuadrat e tij janë gjithmonë të plota, kompakte, me disiplinë të jashtëzakonshme taktike. Conte është shumë kërkues në merkato, ndërton skuadra të forta me lojtarë që i japin shumë opsione. Sa i përket përgatitjes, është një nga më të mirët në botë.”
Sa i përket rëndësisë së ndeshjes së nesërme, Mourinho e tha qartë: “Derisa matematika të mos na dënojë, ne do të vazhdojmë të luftojmë. Fitorja nesër do të na vendoste në një situatë shumë të mirë; mungesa e fitores do të na e komplikonte jetën, por do të kishte ende gjashtë pikë për t’u luajtur.”
Në fund, u ndal për pak çaste te emocionet e rikthimit përballë ish-lojtarëve të tij: “Këto janë gjëra që ndihen para dhe pas ndeshjes. Gjatë lojës nuk kam kohë të mendoj për to.”
Benfica kërkon me çdo kusht të mbetet në garë, ndërsa Mourinho, si gjithmonë, shfaqet i motivuar, i prerë dhe plot besim në aftësitë e skuadrës së tij.