Trajneri i Bayer Leverkusen, Kasper Hjulmand, ka thënë se skuadra e tij është e motivuar pas dy fitoreve të fundit në transfertë, ndaj Benfica dhe Manchester City në Champions League, dhe synon tjetër fitore kundër Newcastle.
Gjermanët luajnë sonte në shtëpi, me objektivin për ta bërë një hap të madh drejt fazës së 1/16-ve.
Fitoret e fundit e kanë ringjallur garën evropiane të Leverkusen, duke e çuar ekipin në tetë pikë pas pesë ndeshjeve, vetëm dy pikë larg zonës që siguron kualifikimin direkt.
“Dy fitoret na kanë dhënë shtytje të madhe. Kërkojmë të hedhim një hap të madh me një fitore në shtëpi”, ka deklaruar Hjulmand para përballjes.
Leverkusen më pas do të luajë ndaj Olympiacos në udhëtim dhe Villarreal në shtëpi në dy ndeshjet e fundit të grupit. Megjithatë, forma në Bundesliga është më e dobët, pasi skuadra ka humbur dy ndeshjet e fundit, duke përfshirë një 2:0 kundër Augsburgut.
Nga ana tjetër, Newcastle vjen në këtë sfidë me tri ndeshje pa humbje në Premier League, ku ka shënuar tetë gola dhe ka pësuar katër.
“Janë një skuadër shumë e fortë, fizike dhe me presion të lartë. Por edhe ne jemi të rrezikshëm kur japim maksimumin”, ka theksuar Hjulmand.