“Shpikja që lindi në pandemi”, çfarë fshihet pas ventilatorit revolucionar të UP-së?

- Bota Sot

“Shpikja që lindi në pandemi”, çfarë fshihet pas ventilatorit revolucionar të UP-së?

Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, prof. Arbnor Pajaziti, ka marrë zyrtarisht patentën për shpikjen e tij inovative “Ventilatori Mekanik me Lidhje Rivepruese të Rregullimit”, të miratuar nga Agjencia për Pronësi Industriale e Republikës së Kosovës.

Shpikja, e cila është patentuar deri më 2 shkurt 2044, përfaqëson një pajisje të avancuar me potencial të gjerë përdorimi në mjekësi, industri dhe fushën e mekatronikës, duke ofruar kontroll të sofistikuar të proceseve të ventilimit.

Në procesin e zhvillimit të pajisjes ka kontribuar edhe Petrit Abdyli, inxhinier dhe i diplomuar në nivel master në të njëjtin fakultet, duke luajtur një rol të rëndësishëm në finalizimin e projektit.

Sipas UP-së, ideja për këtë ventilator mekanik kishte lindur gjatë pandemisë Covid-19, në kohën kur mësimi zhvillohej online dhe ekzistonte mungesë e theksuar e pajisjeve të tilla. Projekti u financua nga Bashkimi Evropian dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës.

Ventilatori i patentuar konsiderohet një shembull i fuqisë inovative të universitetit publik në Kosovë, duke dëshmuar se institucionet akademike të vendit janë në hap me trendet moderne të teknologjisë dhe kërkimit shkencor.

UP-ja vlerësoi patentimin si një arritje të rëndësishme, që nxit kreativitetin, zhvillimin shkencor dhe potencialisht hap rrugë për aplikime praktike në sektorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot