Guardiola me një këshillë ‘shoqërore’ për Alonson

- Bota Sot

Guardiola me një këshillë ‘shoqërore’ për Alonson

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i ka dhënë një këshillë të çuditshme homologut të tij te Real Madridi, Xabi Alonso, përpara përballjes së tyre të së mërkurës mbrëma në “Bernabeu”.

Ish-lojtari i Barcelonës u bombardua me pyetje më shumë për të ardhmen e Alonsos sesa për ndeshjen.

Thuhet se puna e Alonsos është në rrezik të mërkurën, me një rezultat negativ që potencialisht mund t’i kushtojë atij detyrën. Guardiola u pyet nëse kishte ndonjë këshillë miqësore për ish-lojtarin e tij.

“Të urinojë me të vetën. Të urinojë me të vetën. Ai nuk urinon parfum, kështu që ndoshta do të bëjë mirë, do ta shihni. Ja ku e keni titullin, apo jo?” – tha ai duke iu referuar një kritike të vjetër që iu bë atij gjatë kohës te Barcelona.

Guardiola shpesh akuzohej se “urinonte parfum”, një shprehje që nënkupton se dikush mendon se është perfekt ose mbi të tjerët.

Një nga zhgënjimet kryesore gjatë mandatit të Alonsos duket të jetë se ai nuk ka fituar mjaftueshëm kontroll në dhomën e zhveshjes, as nuk ka autoritetin për të imponuar veten. Është sugjeruar se yjet e Real Madridit kanë shumë pushtet.

“Unë nuk jam në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, kështu që nuk e di situatën. Por varet. Hierarkia, në fund të fundit, është pushtet. Nëse hierarkia dëshiron t’i japë pushtet trajnerit, atëherë trajneri do ta ketë pushtetin. Nëse duan t’ua japin lojtarëve, atëherë lojtarët e kanë pushtetin”, tha ai.

“Këto ndeshje janë të vështira, por ai e di këtë, ka qenë këtu dhe e njeh realitetin. Kjo është çështje fitimi ndeshjesh. E di që kanë shumë mungesa. E di çfarë ndodh kur përpiqesh të ndërtosh diçka dhe ke shumë lojtarë të lënduar. Na ndodhi edhe neve sezonin e kaluar. Por sigurisht që ai është i aftë ta bëjë këtë”, shtoi ai.

Guardiola theksoi se ai po e mbështet Alonson për të përmbysur situatën, duke nënvizuar vështirësinë e detyrës dhe mënyrën se si të dilet nga një situatë e tensionuar.

“Sigurisht. Ne punuam së bashku për dy vite e gjysmë dhe ishte e jashtëzakonshme; ndamë shumë gjëra. Por Barcelona dhe Real Madridi janë klubet më të vështira për t’u menaxhuar, për shkak të presionit dhe ambientit. Ka qenë një sezon i vështirë dhe gjithçka rrotullohet rreth fitimit… dhe kur nuk fiton, e di çfarë ndodh. Më ndodhi edhe mua sezonin e kaluar! Por Xabi është i aftë ta përmbysë këtë”, u shpreh spanjolli.

Alonso erdhi me reputacionin e një takticieni të ngjashëm me Guardiolën, ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm për Zinedine Zidane apo Carlo Ancelotti. Ish-trajneri i Barcelonës u pyet nëse sheh ngjashmëri mes ekipeve të tij dhe atyre të Alonsos.

“Jo, ekipet e mia janë të jashtëzakonshme. Ekipet e mia nuk krahasohen me asnjë ekip tjetër. Ja tjetër titull. Çdo ekip ka stilin e vet. Xabi e di shumë mirë çfarë duhet të bëjë. Janë realitete të ndryshme, klube të ndryshme, lojtarë të ndryshëm. Detyra jonë është të përshtatemi me lojtarët që kemi, personalitetin e tyre dhe mënyrën si luajnë. Shikoni, 4 ditë më parë – jo 4 muaj më parë, por 4 ditë – ata ishin liderë të La Ligës”, tha Guardiola.

E ardhmja e trajnerit të Real Madridit ishte gjithashtu tema kryesore edhe në konferencën e Alonsos.

Ai siguroi se e ndjen mbështetjen e hierarkisë dhe bashkimin brenda dhomës së zhveshjes, ndërsa Aurelien Tchouameni fajësoi lojtarët për rezultatet e dobëta të fundit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot