Nga stoli kuqezi vjen një paralajmërim. Pablo Zabaleta ia thotë hapur Realit se nëse do t’i rrëshqasë këmba sado pak, sonte do të pësojë një goleadë.
Argjentinasi, ndihmësi i trajnerit të Shqipërisë, Silvinjo, ka qenë futbollist i Mançester Sitit, dhe e ka të qartë se çfarë mund të ndodhë, ndërsa flet për të përditshmen sportive “AS”.
Edhe mediat në Madrid e kanë të qartë se si vjen skuadra e tyre në këtë duel të Championsit.
Sipas tyre, Siti i momentit më të mirë vjen në “Bernabeu” në momentin më të keq të ekipit merenges.
Kjo, jo vetëm për humbjen e rëndë pësuar në fundjavë në shtëpi ndaj Seltës në La Ligë. Më shumë se kaq, trajneri Shabi Alonso do të ketë mungesa të jashtëzakonshme.
Përballë Realit në fushë do të jetë njëri nga sulmuesit më të mirë të botës, Erling Haland, ndërsa mbrojtja madrilene fut ujë nga të gjitha anët.
Militao, Karvahal, Aleksandër-Arnold dhe Mendi janë të sigurt që nuk luajnë. Alaba dhe Huijsen janë në dyshim të fortë e normalisht nuk aktivizohen dot, ndërsa Fran Garsia dhe Alvaro Karreras janë në krizë të thellë besimi pas kartonëve të kuq që morën në kampionat.
Për fat, Kilian Mbape, e ka kaluar dëmtimin në kohë, ndonëse nuk pritet të jetë në maksimum dhe Kamavinga po ashtu është jashtë.
Po Siti, vërtet ka ndryshuar kaq shumë? Skuadra e Pep Guardiolës ka tri fitore radhazi, e ndonëse u mund nga Leverkusen në Champions, mund të konsiderohet mënë formë se Reali.
Jo më kot ka 7 fitore në 9 ndeshjet e fundit. Siti nuk do të ketë sërish yllin kryesor të mesfushës, Rodri, po ashtu zëvendësuesin e tij Kovacic, si dhe mbrojtësin Stouns.
Ish-kampionia e Anglisë duhet të arrijë rezultat sepse ndryshe rrezikon kualifikimin, ndërsa kualifikimet janë në favor të madrilenëve, 4-2.
Kjo ndonëse bilanci i ndeshjeve dhe i golave është thuajse i barabartë.